ACPD, në bashkëpunim me SAAF @safe_abortion, organizoi një trajnim me mjekë obstetër–gjinekologë.
ACPD, në bashkëpunim me SAAF @safe_abortion, organizoi një trajnim me mjekë obstetër–gjinekologë, i drejtuar nga Dr. Enkeleda Prifti, Shefe e Shërbimit të Maternitetit “Koço Gliozheni”, me fokus shëndetin riprodhues dhe teknikat e ndërprerjes së shtatzënisë së padëshiruar. Takimi u hap nga Znj. Elona Hoxha, Drejtore Ekzekutive e ACPD, dhe ndër pjesëmarrëset në këtë aktivitet ishte edhe Znj. Dorina Tocaj.
Prezantimi përfshiu kuadrin ligjor dhe kufijtë kohorë për abortin në Shqipëri, metodat kryesore dhe kriteret për përzgjedhjen e tyre, rëndësinë e këshillimit profesional para dhe pas ndërhyrjes, procedurat standarde, si dhe identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve dhe komplikacioneve të mundshme, së bashku me një pasqyrë të sfidave aktuale dhe të dhënave kombëtare.
Ky trajnim shënon fillimin e një serie trajnimesh që ACPD do të ndërmarrë në vijim, me synimin për të forcuar kapacitetet e profesionistëve të shëndetësisë dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve të sigurta, cilësore dhe të bazuara në evidencë mbi abortin e sigurt dhe shëndetin riprodhues. Në përfundim të takimit, Dr. Enkeleda Prifti u intervistua nga Televizioni Kombëtar RTSH, ku foli mbi çështjet e shëndetit riprodhues dhe ndërprerjen e shtatzënisë, duke theksuar rëndësinë e informimit të saktë dhe shërbimeve të sigurta për gratë.










