Trajnime me gratë në Bashkinë Shkodër për buxhetimin e përgjigjshëm gjinor
6 Janar, 2026 Komentet te Trajnime me gratë në Bashkinë Shkodër për buxhetimin e përgjigjshëm gjinor Janë të Mbyllura Publikime,Te rejat ACPD

Në kuadër të projektit “Monitorimi i Buxhetimit të Ndjeshëm Gjinor dhe Financimit të Ndryshimeve Klimatike në Bashkinë Shkodër”, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) zhvilloi gjatë periudhës tetor – dhjetor 2025 një seri sesionesh trajnuese me gratë në Bashkinë Shkodër dhe në njësitë administrative Rrethina, Guri i Zi, Dajç dhe Postribë.

Këto trajnime kishin si synim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të grave mbi rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si dhe fuqizimin e tyre për t’u përfshirë më aktivisht në proceset e buxhetimit publik.

Në total, në këto sesione morën pjesë rreth 100 gra nga zona urbane dhe rurale, me profile të ndryshme sociale dhe profesionale, përfshirë shtëpiake, gra të angazhuara në bujqësi, edukatore, infermiere, arsimtare, punëtore, sanitare, kuzhiniere dhe juriste. Kjo larmishmëri përvojash kontribuoi në diskutime të pasura mbi sfidat konkrete që gratë përballen në jetën e përditshme dhe në aksesin ndaj shërbimeve publike.

Gjatë trajnimeve u trajtuan tema si koncepti i buxhetimit të përgjigjshëm gjinor, procesi i hartimit dhe miratimit të buxhetit vendor, rëndësia e shpërndarjes së drejtë të burimeve publike, ndikimi gjinor i ndryshimeve klimatike, si dhe mënyrat konkrete të pjesëmarrjes së qytetarëve në dëgjesat publike dhe konsultimet për buxhetin.

Sesionet u zhvilluan në mënyrë interaktive, duke u dhënë pjesëmarrëseve hapësirë për të ndarë shqetësimet, përvojat dhe prioritetet e tyre. Gjatë sesioneve trajnuese, diskutimet me pjesëmarrëset nxorën në pah një sërë problematikash të përbashkëta në të gjitha njësitë administrative.

Një ndër çështjet kryesore ishte pjesëmarrja e ulët e grave në proceset vendimmarrëse, ku pjesëmarrëset theksuan se përfshirja e tyre në dëgjesat publike mbetet e kufizuar. Ato nënvizuan gjithashtu se shpesh ekziston perceptimi që zëri i tyre nuk merret në konsideratë, ndërkohë që mungon edhe informimi i mjaftueshëm mbi proceset vendimmarrëse dhe mundësitë për përfshirje.

Në lidhje me shërbimet publike dhe infrastrukturën, u evidentuan problematika si transporti publik jo funksional dhe i paaksesueshëm, mungesa e çerdheve dhe kopshteve, veçanërisht në zonat rurale si dhe sfida që lidhen me ndriçimin publik, kanalizimet dhe sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.

Gjithashtu, pjesëmarrëset theksuan praninë e barrierave sociale dhe ekonomike, si ngarkesa e lartë me punë familjare dhe bujqësore, mungesa e shërbimeve për kujdesin ndaj fëmijëve dhe mundësitë e kufizuara për punësim, ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e grave për t’u përfshirë në jetën publike.

Një tjetër çështje e rëndësishme lidhej me informimin dhe transparencën, ku u evidentua mungesa e komunikimit efektiv nga institucionet lokale, si dhe fakti që informacioni për dëgjesat publike nuk arrin në mënyrë gjithëpërfshirëse tek të gjithë qytetarët. Pjesëmarrëset theksuan gjithashtu se niveli i përfshirjes së grave në takimet publike mbetet i ulët, jo vetëm për shkak të angazhimeve familjare dhe ekonomike, por edhe sepse shpesh ato ndihen të painformuara, të padëgjuara dhe të paangazhuara realisht në proceset vendimmarrëse.

Si pjesë e trajnimeve, gratë u njohën me mënyrat konkrete për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse në nivel vendor, përmes pjesëmarrjes në dëgjesat publike, ndjekjes së mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, paraqitjes së komenteve dhe sugjerimeve gjatë konsultimeve për buxhetin, si dhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset buxhetore.

Gjatë sesioneve u prezantua edhe linku zyrtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Shkodër, si një burim i rëndësishëm informacioni për aktivitetet e bashkisë, njoftimet për mbledhje dhe dëgjesa publike, vendimet e këshillit dhe proceset e miratimit të buxhetit:

https://bashkiashkoder.gov.al/keshilli-bashkiak/

Këto sesione trajnuese kontribuuan në rritjen e kapaciteteve të grave për të kuptuar më mirë proceset buxhetore, në evidentimin e prioriteteve reale të komuniteteve dhe në forcimin e lidhjes ndërmjet barazisë gjinore, pjesëmarrjes qytetare dhe qeverisjes së mirë lokale. ACPD do të vijojë të mbështesë nisma që promovojnë përfshirjen aktive të grave në vendimmarrje, duke kontribuar në forcimin e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor dhe fuqizimin e tyre si aktore kyçe në zhvillimin e komuniteteve lokale.

Për autorin
Privacy Policy