QASJA E TË RINJVE NË INFORMACION, EDUKIM DHE KUJDES PËR SHËNDETIN SEKSUAL DHE RIPRODHUES NË BALLKANIN PERËNDIMOR GJATË COVID-19
Ky raport hulumtimi synon të japë një pamje më të qartë të ndikimit të pandemisë në shëndetin seksual dhe riprodhues dhe te të drejtat e të rinjve. Në të jepen gjetjet e studimit të kryer nga dhe mes të rinjve në pesë vende të Ballkanit. Ai dokumenton nevojat dhe përvojat e shëndetit seksual dhe riprodhues të të rinjve dhe perspektivat e ofruesve të kujdesit shëndetësor dhe aktorëve të tjerë për këto nevoja. Në këtë studim trajtohen edhe nevojat e këtyre të fundit teksa ofrojnë shërbime, informacion dhe edukim për të rinjtë, duke u mbështetur në përvojën e përfituar gjatë pandemisë Covid-19.
Ky studim u ndërmor në kuadër të Projektit trevjeçar “Zëri i të Rinjve, Zgjedhjet e të Rinjve”, i dedikuar për të siguruar që kujdesi shëndetësor seksual dhe riprodhues në Ballkanin Perëndimor bëhet më i arritshme dhe miqësor ndaj të rinjve në kohë më afatgjatë, duke mësuar nga përvoja e Covid-19. Puna fokusohet veçanërisht në përvojat dhe nevojat e të rinjve nga grupet që përballen me pengesa të vazhdueshme për marrjen e kujdesit të duhur shëndetësor. Të rinjtë janë në qendër të këtij projekti, duke bashkëpunuar në partneritet me shumë aktorë të tjerë, si studiues, advokues dhe aktivistë.