A munden të rinjtë të luftojnë stigmën ndaj abortit?!
10 Qershor, 2020 Komentet te A munden të rinjtë të luftojnë stigmën ndaj abortit?! Janë të Mbyllura Blogu,Publikime,Qendra Aulona,Qendra Rinore “PO”,Qendra Trokitja,Te rejat ACPD

Lejla 17 vjeç, nga një fshat i Tiranës, nga një lidhje një vjeçare mbeti shtatzënë. Sapo e mori vesh partneri i saj u largua duke e lënë të vetme pa asnjë zgjidhje. E rrethuar nga frika ndaj prindërve dhe shoqërisë, mentaliteti dhe diskriminimi, ajo vendosi të abortonte në fshehtësi, tek dikush ku nuk do ta merrte vesh askush. Mirëpo, gjërat nuk shkuan mirë… pas abortit ajo pati disa pasoja dhe sot frikësohet se këto probleme do të reflektohen  në shëndetin e saj riprodhues dhe në të ardhmen.

Erisa nga Durrësi, 30 vjeç, nënë e dy fëmijëve. Në moshën 32  vjeçare mbeti sërisht shtatzënë. Për arsye ekonomike ajo nuk mund ta mbante fëmijën e saj. Së bashku me bashkëshortin, pasi morën të gjithë këshillimin e duhur nga mjeku, vendosën të ndërpresin shtatzëninë. Cdo gjë shkoi shumë mirë, pa asnjë efekt anësorë apo dëmtim. Nëse mundësitë për çiftin ndryshojnë, ato do të mendojnë sërisht për një fëmijë tjetër.

Dy historitë, përfaqësues të dy botëve paralele, u veshën në trupin e një manekine nga aktivistë të qendrës sonë, me qëllim luftimin e stigmës ndaj abortit. Manekina, e cila mori trajtën e dy botëve, u vendos në ambient publik dhe testoi reagimet e të gjithë kalimtarëve.

Njerëz të ndryshëm, të moshave të reja por dhe të vjetra, ndaluan, i lexuan, i komentuan dhe mbi të gjitha vlerësuan punën e aktivistëve tanë.  Dikush u shpreh: “ Kur mendoj se Lejla mund të ishtë vajza ime, më dridhen gjunjtë, më mirë të gjykohet sesa të ketë pasoja”. E më tutje dikush tjetër tha: “Aborti duhet të  shihet si një e drejtë, e drejtë për të vendosur lirisht… në të kundërt pasojat janë të pashmangshme”

Këto reagime dhe shumë të tjera treguan se edhe pse aborti është një temë sensitive dhe stigma mbetet prezente, iniciativa të tilla mund të ndikojnë në ndryshimin e situatës. Aktivitetet masive apo shfaqet publike, sensibilizimi i gjithsecilit prej nesh bën të mundur që të vendosen gurët e suksesit.

Të rinjtë tanë, nuk do të ndalen… ata do të vazhdojnë të luftojnë stigmën ndaj abortit!

Për autorin