Ndihma Juridike Parësore
Cfarë është ndihma juridike parësore?
Forma e parë e ndihmës ligjore apo ndryshe Ndihma Juridike Parësore, është ai lloj shërbimi ligjor i cili ofrohet për mosmarrëveshjet që mund të zgjidhen pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës.
Bazuar në ligjin Nr. 111/2017 “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti“ me Ndihmë juridike parësore” do të kuptojmë :
i) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;
ii) dhënia e këshillimit;
iii) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve;
iv) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore;
v) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe vi) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.
Kjo ndihmë ofrohet nga:
- Juristët (punonjësit me trajnim të posaçëm) pranë qendrave të shërbimit të ndihmës ligjore;
- Organizatat jofitimprurëse të autorizuara;
- Klinikat e Ligjit pranë Universiteteve;
Të cilët:
- Informojnë qytetarët në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;
- Orientojnë/këshillojnë shtetasit mbi mënyrën se si ata duhet të veprojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre;
- Hartojnë shkresa zyrtare drejtuar institucionit me të cilin individi është në konflikt me qëllim zgjidhjen e problematikës;
- Ndihmojnë qytetarët në plotësimin e formularëve për përfitimin e këtij shërbimi dhe në plotësimin e dokumentave që nevojiten.
Cilat janë kategoritë përfituese ?
Subjekte përfituese të ndihmës juridike janë:
a) shtetasit shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë të përkohshme ose të përhershme dhe janë të pajisur me leje qëndrimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt;
c) shtetasit e huaj, ose personat pa shtetësi, që hyjnë në mënyrë të rregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që përfitojnë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë ose bazuar në parimin e reciprocitetit; ç) azilkërkuesit, personat që gëzojnë statusin e refugjatit dhe personat që janë në proces ankimi të vendimeve administrative dhe/ose gjyqësore për refuzimin e aplikimit për azil ose revokimin e vendimit të statusit të refugjatit, sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë.
Kategoritë e veçanta të përfituesve të ndihmës juridike
Ndihma juridike i ofrohet personave të mëposhtëm, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre:
a) viktimave të dhunës në familje;
b) viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal;
c) viktimave të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal;
ç) fëmijëve, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
d) fëmijëve nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
dh) personave që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit;
e) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit të pavullnetshëm në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor; ë) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit vullnetar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor për sëmundjet e rënda mendore;
f) personave, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi;
g) personave, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor; gj) personave, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale;
h) personave, të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.
Përfituesit e ndihmës juridike me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme
- Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile.
- Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
- Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.