Advokacia për Shëndetin Seksual e Riprodhues tek të Rinjtë
Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) zhvilloi në datat 19 dhe 20 Tetor 2022, në mjediset e Qendrës “Po” trajnimin “Advokacia për Shëndetin Seksual e Riprodhues tek të rinjtë”, me pjesëmarrjen e 15 të rinjve. Ky trajnim pati si qëllim njohjen e të rinjve me konceptet kryesore të shëndetit seksual dhe riprodhues dhe aftësimin e tyre për të advokuar për këto tema.
Në përfundim të trajnimit të rinjtë patën një koncept më të qartë rreth të drejtave të të rinjve, duke u përqëndruar kryesisht tek të drejtat seksuale e riprodhuese; thelluan njohuritë për integrimin gjinor në programet e të rinjve dhe pengesat/sfidat që hasen për të fituar të drejtat e integrimin gjinor në zona ku zbatohen programet e të rinjve duke përfshirë aksesin ndaj shërbimeve të shëndetit riprodhues, ndërprerjes së shtatzënisë, IST/HIV/AIDS; vlerësimin dhe përmirësimin e programeve të bazuara tek të drejtat dhe ndjeshmëria gjinore.
Ky trajnim u zhvillua në kuadër të Projektit “Zëri i të Rinjve, Zgjedhja e të Rinjve”, mbështetur nga Merck for Mothers, koordinuar në nivel rajonal nga Zyra Europiane e Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF EN) dhe zbatuar nga 5 vende të Ballkanit Perëndimor.