Gazetarët, informimi dhe bashkëpunimi për shëndetin seksual dhe riprodhues
Në datën 7 Nëntor 2022 u zhvillua workshopi me praninë e 10 gazetarëve në sallën COD në Kryeministri me qëllim prezantimin gjetjeve të studimit “Qasja e të rinjve në informacion, edukim dhe kujdes ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues në Shqipëri gjatë pandemisë së Covid-19.” Ky workshop kishte si qëllim edhe rritjen e ndërgjegjësimit në të gazetarëve që punojnë në median e audiovizive e të shkruar për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe forcimin e bashkëpunimit me ta.
Aktivitet u organizua nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) në kuadër të projektit “Zëri i të Rinjve, Zgjedhjet e të Rinjve”, mbështetur nga Merck for Mothers, me koordinimin e Zyrës Rajonale të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF EN) dhe që po vihet në zbatim në 5 vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Bosnjë & Hercegovinë, Bullgari dhe Kosovë).
Në këtë workshop gazetarët u prezantuan me një panoramë të plotë të çështjeve të shëndetit seksual dhe riprodhues, disa nga ndërhyrjet konkrete që janë realizuar dhe problematikat që kanë nevojë të trajtohen më tej. Ndjeshmëria dhe mënyra e trajtimit të këtyre temave ishte në thelb të diskutimeve, ndërkohë që u bënë edhe rekomandime konkrete të tilla si prioritizimi i këtyre çështjeve në media, rëndësia e trajtimit të shkakut të problemeve dhe jo vetëm shifrave, trajtimi në një plan më miqësor dhe pozitiv etj.
Një intervistë e shkurtër me informacione të rëndësishme dhe mesazhe kyçe u dha nga Drejtorja Ekzekutive e QSHPZH, Dr. Elona Gjebrea Hoxha, për të gjithë median që nuk ishte pranishme në këtë aktivitet por dhe për komunitetin e gjerë.