11 Korrik – Dita Botërore e Popullsisë
Një botë me 8 miliardë banorë: 8 mënyra se si vendet mund të menaxhojnë me sukses ndryshimet demografike
Ky artikull është marrë nga UNFPA Shqipëri.
Në fund të këtij viti (2022) popullsia e botës parashikohet të arrijë në 8 miliardë njerëz, një moment historik në rritjen e shpejtë të popullsisë në planetin tonë. E ndërsa bota po përgatitet të arrijë këtë rekord të ri, është e rëndësishme të mbahet në konsideratë se tendenca globale drejt një popullsie gjithnjë e më të madhe fsheh një diversitet të jashtëzakonshëm të zhvillimeve demografike në nivel rajonal dhe kombëtar.
Nivelet e lartë të lindshmërisë si shtysë për rritjen e popullsisë globale janë të përqendruara në një numër gjithnjë e më të vogël vendesh. Në fakt, tashmë 60 përqind e njerëzve në mbarë botën jetojnë në vende me lindshmëri në ose poshtë nivelit të zëvendësimit (2.1 fëmijë për grua). Numri i vendeve ku rritja e popullsisë ka ngecur është gjithmonë në rritje, madje, në disa vende, shifrat flasin për ulje të numrit të popullsisë.
Shumë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, në veçanti, e kanë përjetuar tkurrjen e popullsisë së tyre sidomos gjatë dekadave të fundit – kjo si rezultat i disa faktoreëve dhe efekteve të kombinuara: nga lindshmëria e ulët, tek vdekshmëria e lartë (veçanërisht tek meshkujt), si edhe niveli i lartë i emigracionit (kryesisht tek të rinjtë e moshave riprodhuese). Këto zhvillime kanë krijuar një mjedis unik demografik në rajon, që, nga njëra anë, mund të jenë burim frike dhe ankthi, por, nga ana tjetër, paraqesin aq shumë mundësi dhe kanë krijuar hapësirën dhe nevojën për të gjetur zgjidhje krijuese në përgjigje të ndryshimeve demografike.
UNFPA po ofron mbështetje për vendet në përpjekje për të trajtuar efektet e ndryshimeve demografike, nëpërmjet programit rajonal Demografi e Qëndrueshme, si edhe me prezantimin e Dekadës për Demografinë e Qëndrueshme në Konferencën Ministeriale mbajtur në Sofje, në dhjetor 2021.
Ndërsa i afrohemi çdo ditë e më shumë numrit 8 miliardë njerëz në botë, më poshtë po ju prezantojmë tetë veprime që vendet e rajonit tonë mund të ndërmarrin në përgjigje të ndryshimeve demografike dhe për të zbutur efektet e mundshme negative tek individët, shoqëria dhe ekonomia e vendit.
1. Sigurohuni që njerëzit të kenë aq fëmijë sa dëshirojnë
Sondazhet tregojnë se njerëzit në rajon dëshirojnë të kenë kryesisht dy ose më shumë fëmijë, por shpesh, përfundojnë duke patur vetëm një fëmijë, ose edhe asnjë. Ky hendek midis dëshirës për të patur shumë fëmijë dhe një familjeje të vogël në numër, jep sinjalin për ekzistencën e barrierave të rëndësishme që i pengojnë njerëzit në realizimin e lindjes së numrit të fëmijëve që dëshirojnë.
Këto barriera përfshijnë: kostot e larta (veçanërisht për përkujdesjen dhe edukimin), vështirësitë në krijimin e balancës midis punës dhe familjes, si dhe ndarjet gjinore në kryerjen e punëve, të cilat diktojnë se gratë duhet të përballojnë pjesën më të madhe të barrës së kujdesit ndaj fëmijëve dhe punëve të shtëpisë. Qeveritë mund të ndikojnë në shembjen e këtyre barrierave, duke shtuar politikat sociale dhe ato familjare, që vendet e punës dhe punëdhënësit të jenë më miqësorë me familjen, duke luftuar pabarazitë e vazhdueshme gjinore të shoqërive dhe duke krijuar mjedise më të favorshme, sidomos për të rinjtë, që të kenë besim tek vendi i tyre, tek komuniteti dhe ekonomia, si edhe tek perspektiva për të planifikuar të ardhmen e për të krijuar familje në vendin e tyre. Kjo kërkon zhvillim progresiv të qeverisjes së mirë, forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe garantimin e rritjes së qendrueshme ekonomike.
2. Krijoni shoqëri ku njerëzit të duan të jetojnë dhe të planifikojnë të ardhmen e tyre
Në pjesën më të madhe të rajonit, emigracioni ka sjellë ikjen e trurit, ka kontribuar në uljen e popullsisë, ka përkeqësuar mplakjen e shoqërive dhe ka ndikuar në normat e ulta të lindshmërisë, pasi shumë të rinj në moshë riprodhuese po krijojnë familje jashtë vendit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, për shembull, një në dy të rinj, ose 47 përqind, thonë se po mendojnë të largohen nga vendi përkohësisht ose përgjithmonë, zbuloi një studim i fundit i UNFPA. Sipas studimit, pakënaqësia me cilësinë e jetës është një shtysë kryesore e interesit të të rinjve për të shkuar jashtë vendit.
Vendet duhet të hartojnë politika dhe të ndërmarrin veprime për të përmirësuar arsimin dhe perspektivat për punë, të zgjerojnë shërbimet publike cilësore dhe aksesin në strehim, të rivendosin besimin e njerëzve në institucionet publike dhe të inkurajojnë të rinjtë të marrin pjesë në çështjet publike. Emigracioni, natyrisht, nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe: ai hap mundësi për të studiuar dhe për të fituar përvoja profesionale jashtë vendit, për të mësuar gjuhë të reja dhe për t’u njohur me kultura të ndryshme. Por njerëzit nuk duhet të mendojnë të largohen apo të mos kthehen në vendin e tyre, për shkak të mungesës së mundësive në vend. Në fund të fundit, është përgjegjësi e qeverive të ndërtojnë shoqëri ku njerëzit dëshirojnë të qëndrojnë, të jetojnë dhe të kenë familjen që dëshirojnë.
3. Fuqizoni të moshuarit që të mbeten anëtarë të shëndetshëm dhe aktivë të shoqërisë
Me lindjen e më pak fëmijëve dhe me ikjen e më shumë të rinjve për të punuar jashtë vendit, shoqëritë në përgjithësi po moshohen. Shtoji kësaj edhe një rritje të shëndetshme të jetëgjatësisë e nuk duhet të habitemi që rajoni po arrin me shpejtësi pjesën tjetër të Evropës ku, deri në vitin 2050, afërisht 30 përqind e popullsisë do të jetë 65 vjeç ose më shumë.
Mplakja e shoqërive ende shihet gjerësisht përmes një lenteje negative: një kërcënim për shtetin dhe mirëqenien dhe një barrë për të rinjtë. Megjithatë, mplakja përbën problem vetëm kur institucionet nuk përgatiten dhe nuk përshtaten. Ka përfitime të mëdha potenciale, kur njerëzit kanë akses në arsim dhe kujdes shëndetësor gjatë gjithë jetës së tyre dhe hyjnë në pleqëri me aftësi të dobishme dhe me shëndet të mirë, duke mbetur kështu pjesëmarrës aktivë në ekonomi dhe shoqëri. Nocioni i moshës së pensionit po bëhet më fleksibël dhe të moshuarit po kthehen në motorët e një “ekonomie të argjendtë” gjithnjë në rritje, që zhvillohet rreth nevojave dhe zgjedhjeve të tyre.
Përjashtimi i pakëndshëm i të moshuarve nga shoqëria është një tragjedi njerëzore dhe një dështim moral. Por, gjithashtu, kjo gjë i dëmton vendet nga ana ekonomike dhe shoqërore. Në një rajon që po mplaket me shpejtësi, vendet nuk mund t’i lejojnë vetes të shmangin e lënë në pasivitet një të katërtën e popullsisë me aftësitë, talentet dhe kontributet e tyre të vyera.
4. Investoni në politikat familjare (dhe sigurohuni që ato të mos jenë në disavantazh të grave)
Politikat e forta sociale dhe familjare janë thelbësore për të siguruar që njerëzit të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë. Vendet shumë të zhvilluara shpenzojnë midis 1 dhe 4 për qind të PBB-së për të mbështetur famoljet. Një nga politikat më efektive është ofrimi i kujdesit të përballueshëm dhe me cilësi të lartë për fëmijët, që fillon nga mbarimi i lejes prindërore dhe bëhet në përputhje me orarin e punës së prindërve.
Politikat që mbështesin zgjedhjet e fertilitetit funksionojnë më mirë nëse ato u përgjigjen nevojave të ndryshme të individëve në situata të ndryshme jetësore. Këto politika duhet të lejojnë që burrat dhe gratë të harmonizojnë përgjegjësitë e punës me ato në familje dhe të ofrojnë mbështetje financiare për familjet me të ardhura të ulëta. Provat tregojnë se politikat e cungta, të fokusuara vetëm në ofrimin e stimujve financiarë për të pasur më shumë fëmijë, ka gjasa të mos kenë ndikim afatgjatë të qëndrueshëm.
Gjithashtu e rëndësishme është të sigurohemi që masat e mbështetjes së familjes të mos ushtrojnë pa dashje aq presion mbi gratë sa ato të tërhiqen nga ndjekja e arsimimit dhe karrierës së tyre. Për shembull, periudhat shumë të gjata të lejes së lindjes, megjithëse në dukje janë një përfitim bujar, priren ta bëjnë më të vështirë kthimin e grave në punë pas lindjes së fëmijës. Politikat në mbështetje të familjes duhet t’i marrin parasysh këto efekte dhe të sigurojnë që gratë dhe burrat që punojnë, të mund të kryejnë pjesën e tyre të punëve të kujdesit dhe përgjegjësive familjare në shtëpi në mënyrë të drejtë e të barabartë.
5. Trajtoni stereotipet rreth roleve gjinore në familje dhe shoqëri
Pabarazia e përhapur gjinore dhe stereotipet për rolet përkatëse të grave dhe burrave në familje, në vendin e punës dhe në shoqëri janë faktorë kyç që i pengojnë njerëzit të realizojnë aspiratat e tyre për të krijuar familje e lindur fëmijë. Vendet me nivele të ulëta të barazisë gjinore priren të kenë norma shumë të ulëta lindshmërie, edhe nëse vendi është shumë i zhvilluar. Kjo, kryesisht, për arsye se pritet që gratë të përballojnë pjesën më të madhe të kujdesit dhe punëve të papaguara në shtëpi (në Evropë dhe Azinë Qendrore, gratë shpenzojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë kohë sesa burrat për kujdesin dhe punët e papaguara të shtëpisë). Në një rajon ku gratë janë të arsimuara mirë, në thelb kjo do të thotë se gratë janë të detyruara të zgjedhin ose punën ose familjen. Trajtimi i stereotipeve të dëmshme dhe normave sociale kërkon kohë, por përfitimet e mundshme janë masive dhe shkojnë përtej perspektivës së rritjes së numrit të lindjeve. Kur gratë marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë, pa pasur nevojë të heqin dorë nga lindja e fëmijëve, edhe vendet ka të ngjarë të rriten, jo vetëm në numër, por edhe në mundësi, stabilitet dhe prosperitet për brezat që vijnë.
6. Ofroni mundësi më të mira për të rinjtë
Ndjenja e thellë e pasigurisë tek të rinjve për të ardhmen e tyre nxit nivele të larta emigracioni në këtë rajon dhe kontribuon në uljen e normave të lindshmërisë. Një përzierje e papunësisë dhe vendeve të paqëndrueshme të punës, mungesa e qeverisjes së mirë dhe mundësitë e kufizuara për angazhim i shtyn shumë të rinj, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Juglindore, të kërkojnë mundësi më të mira diku tjetër. Ndjenja e përhapur e pasigurisë dhe e paqëndrueshmërisë, e shoqëruar me mbështetjen dhe shërbimet e dobëta për familjet, është një pengesë kryesore për të rinjtë që të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë ose bëjnë që të mos kenë fare fëmijë. Adresimi i këtyre sfidave kërkon përgjigje gjithëpërfshirëse me politika për arsimin, shëndetin, tregun e punës, qeverisjen e mirë, pjesëmarrjen politike dhe forcimin e sistemeve të mbrojtjes sociale.
7. Ndërtoni shoqëri më gjithëpërfshirëse
Ndryshimi demografik aq sa shpesh perceptohet si një sfidë, aq mund të shihet edhe si një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar shoqëri më të forta dhe më gjithëpërfshirëse. Në botën e sotme, forca e një vendi nuk matet me numra, por me arsimimin, me aftësitë dhe talentet e popullsisë së tij. Por shumë pak është bërë për të ushqyer këtë kapital njerëzor dhe shumë njerëz mbeten të përjashtuar nga shoqëria, në pamundësi për të përmbushur potencialin e tyre të plotë. Vendet që po përballen me ndryshimet demografike e kuptojnë këtë dhe po zhvillojnë politika që i përfshijnë njerëzit: që nxisin aksesin e grave në fuqinë punëtore, tërheqin talente nga jashtë, integrojnë pakicat dhe fuqizojnë të moshuarit që të mbeten aktivë, përtej daljes në pension, në komunitetet e tyre, në ekonomi dhe jetën publike. Shoqëritë gjithëpërfshirëse janë shumë më elastike ndaj ndryshimeve demografike dhe kanë më shumë gjasa të përparojnë, pavarësisht nga numri i popullsisë.
8. Gjeneroni të dhëna më të mira për politika më të mira
Të dhënat janë kyçe. Ato u mundësojnë qeverive të analizojnë të tashmen, t’u përgjigjen nevojave dhe të planifikojnë për të ardhmen. Të dhënat që disponojmë na lejojnë, me një shkallë të lartë sigurie, të parashikojmë zhvillimet demografike në dekadat e ardhshme. Ne e dimë, për shembull, se mplakja e shpejtë e popullsisë në të gjithë rajonin do të vazhdojë në të ardhmen e parashikueshme dhe qeveritë mund t’i përdorin këto të dhëna për t’u përgatitur, duke përshtatur sistemet dhe institucionet me realitetet në ndryshim. Por, për ta bërë këtë në mënyrë efektive, nevojiten të dhëna shumë më të hollësishme, të ndara sipas gjinisë dhe moshës dhe karakteristikave të tjera, përfshirë në nivel lokal. Dhe ne duhet të përshtasim mënyrën e mbledhjes së të dhënave me realitetet e reja. Për shembull, grumbullimi i të moshuarve në një kategori të vetme moshe, si 60+ ose 65+, rrezikon të fshehë diversitetin në rritje brenda këtij grupi gjithnjë në rritje. Me të dhëna më të mira, më të detajuara, vendet do të jenë në pozicionin e duhur për të parashikuar dhe për t’u përgatitur për të ardhmen demografike të rajonit.