QSHPZH për Vendimin e Gjykatë së Lartë të SHBA kundër aborteve
“Çfarë ndodh nëse ky vendim do të merrej dhe në Shqipëri?” Intervistë e Drejtoreshës Ekzekutive të QSHPZH, Dr. Elona Gjebrea Hoxha, për Breaking Top News
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, Dr. Elona Gjebrea Hoxha, dha një intervistë për emisionin Breaking të Top News, të cilën mund ta ndiqni në këtë link në Youtube ose të zbardhur më poshtë:
1. Së pari një opinion tuajin për vendimin e gjykatës për ndalimin e abortit në SHBA?
Duhet sqaruar se vendimi i Gjykatës së Lartë u jep shteteve në ShBA të drejtën për të vendosur nëse duhet ta ndalojnë abortin apo jo. Në këtë kuptim, shumë shtete në jug dhe qendër të ShBA-ve (si Alabama, Arkansa, Kentaki, Luiziana, Misuri, Oklahoma, Dakota e Jugut, dhe Utah, etj.), e bënë abortin të paligjshëm menjëherë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, ndërsa disa të tjera si Idaho, Tenesi, Teksas, Misisipi, Dakota e Veriut, and Uajoming, pritet të nxjerrin së shpejti një ligj kundër abortit. Gjithsesi, në shumë se 20 shtete të tjera, si Kolorado, Kaliforni, Uashington DC, Konektikat, Illinoi, Meriland, Nju Jork, Masaçusets, Virxhinia, Vermont, Alaskë, etj., aborti është i ligjshëm. Kjo do të thotë që një grua nga Arkansa duhet të udhëtojë në Kaliforni për të bërë abort dhe sipas të dhënave kostoja e abortit në ShBA varion nga 700 deri në 3,500 dollarë pa përfshirë shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, mjekimit, etj. dhe të gjitha këto kosto janë të pambuluara. Duhet të kemi parasysh se aborti ka kosto tejet të larta, veçanërisht për gratë/vajzat e papunë, në gjendje të vështirë social-ekonomike dhe tek emigrantët.
Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj: Mendoj se ky vendim i Gjykatës së Lartë të ShBA-ve është një hap prapa dhe në shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejtë në shëndetin fizik, mendor dhe emocional të grave dhe vajzave nga shtresat e varfra, tek emigrantët, gratë e papuna dhe të pasiguruara, etj. Gratë dhe vajzat duhet të kenë lirinë të vendosin vetë për trupin e tyre dhe askush tjetër.
2. A do të ketë ndikim dhe në vende të tjera që mund ta ndjekin?
Mendoj se çdo shtet ka politikat e veta në lidhje me abortin dhe shëndetin riprodhues. Por disa vende mund të ndikohen duke qenë se e marrin ShBA-në si vendin ideal të lirive dhe demokracisë. Në këtë kuptim, këto vende mund ta marrin vendimin e Gjykatës së Lartë si spunto për të nxitur e ndërmarrë politika që kufizojnë abortin me qëllim rritjen e lindjeve po të kemi parasysh se numri i lindjeve ka rënë në mënyrë të konsiderueshme në shumë vende të botës.
3. A duhet të konsiderohesh konservator nëse nuk dëshiron të vrasësh një jetë të porsangjizur?
Duhet të ritheksoj se nuk ka të bëjë shumë me konservatorizëm apo liberalizëm, sepse nëse duam të mbrojmë një jetë të porsangjizur duhet të sigurojmë edhe kushtet që kjo jetë të lulëzojë; pra, të sigurojmë një kujdes shëndetësor për nënën dhe fëmijën, shkollim dhe ushqim të mirë për fëmijën, siguri në shkolla, etj., aspekte të cilat të them të drejtën janë ende problem në shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe vetë ShBA-të.
4. Të kthehemi tek situata në Shqipëri. Raporti më I fundit i ISHP për vitet 2016-2020 tregoi se ndonëse ka rënie të numrit të aborteve, 65 % e tyre kryhen nga gra të moshës 20-34 vjeç, grupmosha më riprodhuese. Çfarë pasoje do të sillte tek ne ndalimi i abortit?
Një gjë është e sigurt nëse ndalohet aborti në vendin tonë: Numri i aborteve të paligjshme dhe të pasigurta, dhe rrjedhimisht numri i vdekjeve apo i rasteve me probleme të rënda shëndetësore për femrat, do të rritet në shifra të frikshme. Më lejoni t’ju jap një shembull: Në vitet ‘80 deri, para vitit 1991, kur aborti u bë i ligjshëm, më shumë se gjysma e vdekjeve të grave dhe vajzave në moshë riprodhuese ishin si rezultat i abortit të paligjshëm dhe të pasigurt.
5. Raporti i 2020 tregoi se 65 % e aborteve kryheshin më së shumti nga gra të papuna dhe të pasiguruara. A ka ndikuar varfëria dhe papunësia në vendimin për abort?
Sigurisht, në mungesë të politikave sociale dhe ekonomike, shtresa më e goditur dhe më në rrezik janë gratë e papuna dhe të pasiguruara. Shtatzënia dhe lindja e fëmijëve për to do të sjellë efekte të dëmshme ekonomike dhe sociale për to, si humbja e vendit të punës, mungesa e mbështetjes nga shteti për fëmijën e porsalindur (me ilaçe e ushqime, etj.), refuzimi nga punëdhënësit për të ofruar punë për gratë shtatzëna apo për nënat e reja, etj. Kështu, gratë dhe vajzat në moshë riprodhuese zgjedhin abortin si mjetin apo formën më të lehtë për të eliminuar përjashtimin nga tregu i punës, rrjedhimisht shmangien e varfërisë dhe papunësisë.
6. Sipas burimeve të INSTAT dhe ISHP, nga 4540 aborte në vitin 2020, 1747 i referohen Tiranës, më pas renditen Vlora, Fieri dhe Berati dhe 65 % e totalit të tyre kryhen në zonat urbane. Si e shihni ju këtë trend?
Është afërmendsh që qytetet e mëdha të kenë edhe numrin më të lartë të aborteve, sepse jeta e të rinjve dhe kontrolli prindëror për vendimet e të rinjve në këto qytete janë më liberale. Vajzat e reja nga zonat rurale dhe qytetet e vogla e kanë më të vështirë të angazhohen në aktivitete argëtuese dhe kontrolli nga prindërit apo anëtarë të tjerë të familjes është më konservator.
7. Numri I lartë I aborteve ka sjellë për pasojë dhe uljen e numrit të lindjeve. Në këto ritme, si parashikohet të jetë popullsia e Shqipërisë pas disa vitesh, mosha mesatare e saj? Është për të ardhur keq që numri i lindjeve në vendin tonë sa vjen e bëhet më i vogël. Dhe me këto ritme të ulta lindjeje, mosha mesatare në Shqipëri pritet të rritet shumë. Dikur ne ishim vendi me moshën mesatare më të re në Evropë, por sot po bëhemi të parët por në kahun e kundërt.