AKSESI I TË RINJVE NË INFORMACION, EDUKIM DHE KUJDES PËR SHËNDETIN SEKSUAL DHE RIPRODHUES
Në 30 maj 2022, Drejtorja Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QKPZH), Znj. Elona Hoxha, mori pjesë në Konferencën Kombëtare për prezantimin e gjetjeve të studimit “Aksesi i të rinjve në informacion, edukim dhe kujdes ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues gjatë pandemisë së Covid-19” të organizuar në Prishtinë, Kosovë, dhe me ftesë nga organizata partnere kosovare, “SIT- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtim”, në kuadër të Projektit “Zërat e të Rinjve, Zgjedhjet e të Rinjve”, zbatuar në pesë vende të Ballkanit Perëndimor, nën mbikëqyrjen e Zyrës Rajonale të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF) dhe mbështetut nga Merck for Mothers
Në fjalën e saj, Dr. Hoxha, në rolin e partnerit zbatues të këtij projekti, vlerësoi studimin dhe bëri një përshkrim të shkurtër të kontributit të QSHPZH në këtë hulumtim të rëndësishëm, veçanërisht në lidhje me sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, gjetjet kryesore të raportit në Shqipëri në kuadër të projektit me IPPF, sfidat e të rinjve për qasje në shërbime dhe informacione për shëndetin seksual dhe riprodhues, dhuna me bazë gjinore dhe seksuale, praktikat e mira që mund të ndahen me vendet e rajonit, reagimi institucional ndaj Covid-19 për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe rekomandime për të ardhmen.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë nga Kosova, institucione të kujdesit shëndetësor, organizata të shoqërisë civile nga vendet e rajonit, të rinj, profesionistë të kujdesit shëndetësor, donatorë, etj., të cilët shprehën mbështetjen e tyre për veprimtari të mëtejshme për përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues me fokus të veçantë të rinjtë dhe të rejat.