DITA BOTËRORE E HIGJIENËS MENSTRUALE
28 Maj, 2022 Komentet te DITA BOTËRORE E HIGJIENËS MENSTRUALE Janë të Mbyllura Blogu,IPPF,Qendra Aulona,Qendra Rinore “PO”,Qendra Trokitja,Te rejat Durim Tabaku

Në 28 maj të çdo viti, organizata jofitimprurëse, institucione shtetërore, mediat dhe njerëz të fushave të ndryshme bëhen bashkë në Ditën Botërore të Higjienës Menstruale për t’u angazhuar dhe për të evidentuar rëndësinë e administrimit të mirë të higjienës menstruale.

Në 2022 ashtu si edhe në vitet e tjera, në Ditën Botërore të Higjienës Menstruale theksohet se periodat (menstruacionet) mujore janë proces i natyrshëm dhe se duhet bërë më shumë punë për të ndryshuar normat sociale negative rreth tyre si dhe shtysën që u duhet dhënë grave dhe vajzave në rritjen e mundësive të tyre arsimore dhe ekonomike.

Në aktivitetet e shumta që ka realizuar me nxënëset e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin u ka shpjeguar se çfarë ndodh me trupin e tyre; se cikli menstrual është funksion biologjik i trupit të femrave; se nuk kanë pse të ndihen të turpëruara; se duhet të kenë një higjienë menstruale; dhe se të njohësh trupin tënd është një e drejtë njerëzore që duhet respektuar maksimalisht.

Në të gjithë botën numërohen mbi 800 milionë gra dhe vajza në ditë që kanë menstruacione, por që përballen me pengesa të ndryshme pikërisht për shkak të këtij procesi sa natyral aq edhe të nevojshëm për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Stigma dhe tabutë sociale rreth menstruacioneve shpeshherë u bëjnë të pamundur grave dhe vajzave të shkojnë në shkollë apo në punë. Mungesa e produkteve për higjienë menstruale dhe e infrastrukturës sanitare, si tualete private dhe preparate për larjen e duarve, dhe mungesa e edukimit në këtë drejtim në mjaft raste bëhen pengesa që gratë dhe vajzat të mund të kujdesen për higjienën e tyre personale.

Nëse do të përdornim fjalët e Profesores së Epidemiologjisë, Helen Weiss,

“përmirësimi i shëndetit menstrual për vajzat dhe gratë sjell efekte pozitive afatgjate në edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e vajzave dhe grave.”

Për autorin