Konferenca e Nivelit të Lartë e KiE “Përtej horizontit: Një epokë e re për të drejtat e fëmijës”
Në datat 7-8 prill 2022 Këshilli i Evropës dhe Presidenca Italiane e Komitetit të Ministrave organizuan bashkërisht në Romë një konferencë të nivelit të lartë për strategjinë e të drejtave të fëmijës (2022-2027). Kjo konferencë përbënte një mundësi ku përfaqësuesit e nivelit të lartë të shteteve anëtare dhe organizatave të tjera ndërkombëtare shprehën angazhimin e tyre ndaj Strategjisë dhe prezantuan vizionet e tyre për respektimin e të drejtave të fëmijës gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Ndër pjesëmarrësit kryesorë ishin përfaqësues të institucioneve të avokatit të popullit, shoqërisë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë për të drejtat e fëmijëve, si dhe një numër delegatësh të rinj nga shtete të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët kishin kontribuar në hartimin e strategjisë. Për të gjithë këta, konferenca shërbeu për të shkëmbyer ide për zgjidhjen e sfidave të vazhdueshme për të drejtat e fëmijëve dhe u dhanë udhëzime për zbatimin e Strategjisë nga Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare të tij.
Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga znj. Elona Gjebrea Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) me ftesë dhe mbështetje nga Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Prindëror (IPPF). Elona ishte paneliste e disa sesioneve ku u trajtuan probleme të shërbimeve shëndetësore dhe kurrikulës shkollore që ju ofrohet fëmijëve në fushën e shëndetit riprodhues dhe barazisë gjinore. Ajo preku problemet me të cilat përballet Shqipëria në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe punën e kryer nga ACPD dhe organizata të tjera të shoqërisë civile për trajtimin e tyre.
Për të mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe ideve mes pjesëmarrësve, në konferencë u organizuan disa seanca plenare dhe katër seanca tematike, ku pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime me qëllim përshtatjen bashkërisht të udhëzime për qeveritë dhe veprimet që duhet të ndërmarrin ato në këtë drejtim.