Ne ligjërisht gëzojmë të drejtën për ndërprerje të shtatzënisë ,unë e mbështes atë dhe mendoj se të gjithë duhet ta mbështesim!
Arsyet që ekziston stigma ndaj abortit në shoqërinë shqiptare janë të shumta dhe të rrënjosura thellë në kulturën tonë . Si pasojë e kësaj stigme dhe në ditët e sotme gratë nuk ndihen të lira të vendosin nëse duan të vazhdojnë ose jo një shtatzëni të paqëllimshme , dhe pasoja që mund të ketë kjo stigmë është shtyrja e grave drejt aborteve të pasigurta që në jo pak raste sjell humbjen e jetës së tyre. Kjo gjë duhet të ndryshojë dhe jemi ne të rinjtë ata që mund ta nisim ndryshimin , nga vetja , nga edukimi i grupit tonë shoqërorë, i familjes tonë, e më tej i gjithë shoqërisë sonë sepse ne mundemi ta sjellim këtë ndryshim .
Ne ligjërisht gëzojmë të drejtën për ndërprerje të shtatzënisë ,unë e mbështes atë dhe mendoj se të gjithë duhet ta mbështesim!
Rastet që ne, të rinjtë, diskutojmë qoftë edhe me njëri-tjetrin për abortin nuk janë të shumta dhe gjithmonë merret si shkasë ndonjë histori që ne dëgjojmë. Pak kohë më parë një shoqja ime e cila tashmë mbështet të drejtën e grave për ndërprerje të shtatzënisë, më tha :
“Tek komuniteti im një vajzë e cila ishte martuar që në moshë të re dhe kishte një martesë të lumtur në pamje të parë, sic e shikoja unë nga jashtë, kishte gjithashtu edhe një vajzë, por një ditë rastësisht mora vesh që ajo kishte abortuar më shumë se një herë, në fillim e stigmatizova, e gjykova për keq në mendjen time, nuk më pëlqeu fare veprimi dhe nuk arrija ta konceptoja dot se si një vajzë/grua mund të bënte këtë gjë, pa pasur kurrfarë arsye. Kaluan pak kohë dhe rastësisht e takoj vetë vajzën dhe me la të kuptoja se martesa e saj nuk ishte edhe aq e lumtur sa dukej nga jashtë, e takoj përseri një ditë tjetër dhe më tha se familja e burrit të saj, ishte shtysë e aborteve që kishte realizuar vetëm sepse fëmijët do të ishin të gjinisë femërore dhe duke qenë se ata kishin tashmë një vajzë duhej të kishin edhe një djalë me patjetër. “Më thonë se ne shqiptarët duam ta kemi një djalë me patjetër për të vazhduar emrin e familjes.”- shprehu ajo. Nga kjo gjë arrita të kuptoj se vajza nga frika se mos stigmatizohej nuk tregonte as arsyen dhe as ndërprerjet e shtatzënisë që kryente, por ishin thashethemet e banorëve të lagjes prej nga mësuam për të.”
Pas kësaj historie dhe shumë diskutimeve të tjera rreth të drejtës ligjore që ne kemi në Shqipëri për të kryer abort , të drejtën për të ruajtur privatësinë tonë për çështje të tilla , solidaritetin që ne duhet të tregojmë ndaj grave etj, shoqja ime arriti të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ndërprerjes së shtatzënisë dhe në këtë mënyrë mund të ndryshojnë shumë të rinjë të tjerë .
Ne të rinjtë mesa duket nuk aktivizohemi mjaftueshëm për kauza të tilla sepse shpesh besohet se qëndrimi i njeriut për tema të tilla nuk ndryshon . Unë mendoj se ndryshon !!
Çelësi për këtë është si fillim edukimi i të rinjve , dhe më pas , përpjekja jonë për të ndryshuar këtë stigmë ndaj abortit duhet të shtrihet edhe në breza të tjerë ku secili nga ne të diskutojë lirshëm në familjen e tij/saj për temën dhe të bindi ata për të ndryshuar qëndrimin e tyre . Kështu hap pas hapi , stigma ndaj abortit mund të zbehet në shoqërinë tonë .
Një shkrim nga K.Dh, vullnetare pranë QSHPZH