Asgjë e re, asgjë e vjetër
Gjithmonë brenda harkut kohor të 23 viteve diçka e zakonshme ma mbush ditën me idenë se nuk jam vetëm. Shumë njerëz anembanë botës, dikush i ikur e dikush duke u përpjekur të normalizojë ditën shprehimisht kanë një të përbashkët. Të gjithë fatkeqë mbase që nga dita e parë e jetës së tyre dhe të tjerë gjatë rrugës janë prezantuar me një rezultat ku të jesh pozitiv të bën negativ për shoqërinë në një farë mënyre. Une jam pozitiv që nga dita e parë e jetës time, plot 23 vjet të kaluara me diçka të re dhe njëkohësisht të vjetër. Çdo ditë që ka kaluar është njësoj si të ishte dita e parë e tregimit. Çdo buzëqeshje, çdo takim, çdo përqafim, çdo moment, çdo stinë, gjithçka në mënyrë pasive e kupton që nuk ka lindur me ty, perveç diçkaje që nuk është asgjë e re dhe asgjë e vjetër. Dashuria dhe sëmundja kanë pikërisht diçka të përbashkët tek unë. Linda nga dashuria e dy prindërve që ishin të prekur nga HIV-AIDS-i dhe unë isha I vetmi që ofroja siguri në një botë të panjohur në të cilën jetuam të gjithë bashkë për pak kohë. Dhe si çdo gjë ku dashuria dhe sëmundja bëhen bashkë në një histori, dikush duhet të sakrifikohet për hir të dashurisë nga sëmundja. Por e dhimbshmja qëndron tek fakti që edhe tek sakrifica po prapë nuk ka asgjë të re dhe asgjë të vjetër. Prapsëprapë aty qëndroi dhimbja e ikjes së tim ati nga jeta prej sëmundjes që është një venitje e dashurisë dhe njëkohësisht do jetë aty edhe mbas vdekjes së tij. Nga kjo ngjarë rreth moshës 9 vjeçare përpos faktit që mësova në mënyrë naïve se isha pjesëtar I botës së panjohur asokohe të HIV-AIDS-it sfidova veten se në një familje me shumë “pozitivë” brenda, nuk mund të shtyjmë njëri-tjetrin deri në fund drejt sakrificës së rradhës por mund të sfidojmë se kemi të kundërta nga mënyra se si e përjetojmë një ditë ose një histori të të qenurit HIV pozitiv. Nga e gjithë familja ime që përbëhet sot mbas ikjes nga jeta të babait tim, vetëm dy krijesa njëra hyjnore dhe tjetra tokësore, nuk janë të infektuara dhe janë të paidentifikuar brenda botës sonë të panjohur. Njëra prej tyre është motra ime që ka lindur pa u infektuar ende prindërit e mi (histori e veshtirë për t’i gjetur fillesën) dhe krijesa tjetër është qeni im Ringo me të cilin kam shpenzuar dhe po kaloj 9 vitë të mrekullueshme (besoj se kuptohet se cila krijesë është hyjnore). Të mbeturit në rrugëtimin tim me shumë luftë janë mamaja ime – një krijesë hyjnore në trajtë njerëzore, dhe dy vellezërit e mi të vegjël që janë binjakë me njëri-tjetrin –dy krijesa që për shkak të miticizmit që mban koncepti I binjakëve mund të jenë hyjnorë për shumë kultura. Unë jam asgjë e re dhe asgjë e vjetër , asgjë më shumë sesa një adoleshent që studion Filozofi dhe që jeton në Tiranë, Shqipëri, i angazhuar pranë Shoqatës Shqiptare të Personave që jetojnë me HIV/AIDS, dhe pranë Qendrë Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin/Qendrës Po, duke dhënë kontributin tim të vazhdueshëm. Duke përfaqësuar një nga grupet më të prekshme në Shqipëri, të rinjtë që jetojnë me HIV, e kam parë pjesëmarrjen time si kontributin për uljen dhe heqjen e stigmës, diskriminimit dhe konformizmit shoqëror për grupet vulnerabël dhe të margjinalizuar, veçanërisht si unë. Çdo zë dhe kontribut nga të rinjtë kanë një ndikim të madh në mbrojtjen dhe përparimin e shëndetit seksual dhe riprodhues. Të një rëndësie të madhe ka qenë dhe kontributi im në hartimin e një Mjeti për Popullatat Kyce, propozuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin/Qendra Po në kuadër të Youth Sexual Awareness for Europe (YSAFE). Në këndvështrimin tim mjetet për Personat që jetojnë me Aftësi të Kufizuar (PLWD) dhe Popullatën Vulnerabël janë instrumente shumë të rëndësishme dhe duhet të parandalojnë diskriminimin dhe të gëzojnë të drejtat për shëndetësi, trajtim dhe kujdes. Nuk jam ndjerë asnjëherë keq prej faktit që jam I sëmurë edhe pse nuk ndihem asnjë ditë I tillë. Nuk me detyrohet asgjë im atë dhe as mamaja ime që linda me një pozitivizëm të rrënjosur brenda meje pa dëshirën dhe dijeninë e tyre. Kam një histori ku bota e jashtme është përplasur me padijen që e rrethonte këtë sëmundje dhe asgjë tjetër. Bota I detyrohet vetes që të kuptojë se ku ka sëmundje nuk duhet të ketë asnjehere dhembshuri por dashuri. Në dhjetra raporte intime dhe shoqërore me njerëzit e kam kuptuar se nuk mjafton vetëm të dish mbi këtë sëmundje dhe vetëm kaq. Të duhet të mësosh ta duash jetën sepse kjo sëmundje nuk është asgjë e re dhe asgjë e vjetër në ditët e sotshme sesa një procëdure rutinore për shkallën e rrezikshmërisë apo vështirësisë me të cilën përballet pacienti apo individi. Më shumë hyn në bashkëveprim Stigma sesa virusi me komponentë të tjerë të jetës. Historia ime dhe besoj çdo histori me këtë tematikë I drejtohet botës së painfektuar me njerëz që mund të njohin dikë, të afërm apo jo që është I infektuar me HIV-AIDS. Në mënyrë të pavetëdijshme momenti I parë ku personi informohet ka një prirje për të shkuar drejt hapjes ndaj botës si I sëmurë kësaj rradhe. Nuk mendon fare për raportin me veten dhe ndaj sëmundjes por vetëm tek qasja e njerëzve të tjerë ndaj një sëmundjeje përgjithësisht të paragjykuar. Unë, si fëmijë , I prirur nga fakti që kisha parë tim atë të ndërronte jetë prej HIV-AIDS, në moment mendova se do vdisja kur e mora vesh që isha dhe unë I sëmurë. Vendosa dorën në zemër ndërkohë që po qaja dhe në një dakordësim fëmijënor e kuptova se përsa po rrihte ende , isha jashtë rrezikut për jetën. Sot si një 23 vjeçar përpiqem vetëm të ruaj të gjithë njerëzit që më rrethojnë nga çdo risk minimal që mund të mbajë sëmundja ime modeste. Nuk pretendoj të jem një histori suksesi, përsa kohë që kam bërë thjesht detyrën ndaj dashurisë për jetën, muzikën, librat, kinematografinë, sportet dhe nje pafundesie gjërash të tjera që ende po I eksploroj. Kam jetuar, asgjë më shumë. Në çdo shtet të botës ka njerëz që kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje dhe që jetojnë ende, ashtu si në Shqipëri. Luftojmë që numri i viktimave të mos rritet dhe dashuria të prevalojë në histori të thjeshta njerëzore. Për ju që po lexoni, kjo histori sështë asgjë e re përderisa u bêtë pjesë e saj tanimë dhe për mua është gjithmonë asgjë e vjetër teksa çdo ditë është një arsye më shumë për të jetuar dhe për të dhuruar dashuri dhe të qeshura. Unë quhem Klevis Hoxhaj dhe jam HIV pozitiv që nga dita e parë e jetës sime. Asgjë e re , asgjë e vjetër.