Kodi i Standardeve për Organizatat Jofitimprurëse në Shqipëri
NJË PRAKTIKË VETËRREGULLUESE PËR MIRËQEVERISJE, TRANSPARENCË DHE LLOGARIDHËNIE TË SEKTORIT JOFITIMPRURËS
Pas një procesi aktiv gati dy-vjeçar konsultimi dhe bashkëpunimi midis organizatave të shoqërisë civile në të gjithë vendin, kemi kënaqësinë të njoftojmë krijimin e Kodit të Standardeve (KS) të Organizatave Jofitimprurëse në Shqipëri.
Kodi i Standardeve prezanton një mekanizëm vetërregullues për sektorin, duke synuar të përmirësojë efektivitetin e punës së organizatave jofitimprurëse, mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien.
Ai është një tërësi parimesh dhe angazhimesh mbi mënyrën se si organizatat zhvillojnë veprimtarinë e tyre, si ato qeverisen, manaxhojnë burimet, janë transparente dhe llogaridhënëse me të gjithë grupet e interesit, si ndërtojnë marrëdhëniet me mbështetësit dhe donatorët, si manaxhojnë konfliktin e interesave, etj.
Konceptuar si kontribut i sektorit për sektorin, Kodi është një praktikë e ngritur dhe bazuar në përvoja dhe modele ndërkombëtare e rajonale të standardeve për organizatat e shoqërisë civile sikurse ajo e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe Standardit Global për Përgjegjshmërinë e OSHC-ve.
Grupi i punës i përbërë nga 16 organizata të shoqërisë civile, punuan dhe përshtatën më tej Kodin e Standardeve me dinamikën e zhvillimit të sektorit jofitimprurës në Shqipëri dhe hartuan Kodin e Standardeve si dhe një kornizë të zbatimit që mundëson monitorimin dhe vet-vlerësimin e organizatës.
Si një mekanizëm vetërregullues që ndërmerret me vullnetin e lirë të OJF-ve, KS është një mjet që nxit të mësuarit dhe ndryshimin, forcon marrëdhënien me partnerët e grupet e interesit si dhe rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e OSHC-ve.
Njihuni me dokumentin e plotë të Kodit https://bit.ly/3h6bL6U
Njihuni me anëtarësinë e Kodit dhe strukturat zbatuese https://bit.ly/3du14ss
Ftojmë të gjitha organizatat e interesuara të bëhen pjesë e Kodit të njihen me procesin e anëtarësimit këtu https://bit.ly/362QmoO
Si do të funksionojë Kodi
Kodi i Standardeve për OJF-të është mjet publik, i aksesueshëm dhe i hapur për të gjitha OJF-të.
Ai është mjet vetërregullues, që do të thotë se përgjegjësia për respektimin e Kodit qëndron tek anëtarët e Kodit, të cilët kryejnë një vetëvlerësim bazuar në një tërësi treguesish të verifikueshëm e të përcaktuar në Kornizën Vet-Vlerësuese të Kodit të Standardeve të OJF-ve.
I konceptuar si një mekanizëm mundësues, Kodi është i strukturuar në 4 parime udhëheqëse dhe 7 angazhime që OJF-të anëtare duhet të përmbushin dhe të ruajnë për më shumë përgjegjshmëri dhe një standard të përbashkët. Bazuar në Kornizën vet-Vlerësuese shoqëruese të Kodit të Standardeve, çdo organizatë mund të bëjë një vet-vlerësim të saj e në vijim të shprehë interesin për anëtarësim në Kod.
Të gjitha organizatat që e vlerësojnë si të nevojshme që duhet punuar më tej në drejtim të një apo disa standardeve, do të mbështeten përmes rekomandimeve konkrete si dhe nga materiale e praktika të mira të cilat mund të adaptohen prej tyre.
Anëtarësia në Kod dhe strukturat zbatuese të tij
Anëtarësia e Kodit, do të jetë publike dhe do të përbëjë Asamblenë e KS. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një strukturë analitike, dialoguese dhe mbështetëse për dhe me sektorin jofitimprurës. Anëtarësia në KS, do të rifreskohet çdo katër vjet nëpërmjet një procesi të plotë vlerësimi nga Komiteti i Kodit dhe çdo 2 vjet nëpërmjet një procesi Vet-Vlerësimi, me vetdeklarim të vetë anëtarëve.
Asambleja e parë e Kodit të Standardeve përbëhet nga 16 organizatat nismëtare të Kodit si më poshtë, të cilat kryen vet-vlerësimin si dhe prezantuan përpara anëtarësisë përmbushjen e angazhimeve të KS.
- Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
- Instituti Për Demokraci dhe Ndërmjetësim
- Instituti për Kontratën Shoqërore
- Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza
- Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS
- Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
- Përtej Barrierave
- Qendra “Act for Society”
- Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
- Qendra Burimore e Mjedisit, Shqipëri (REC Albania)
- Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin
- Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – Birn Albania
- Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
- Shoqata Internacionale për Solidaritetin (SHIS)
- Të Ndryshëm dhe të Barabartë
- Udhëtim i Lirë
Përmbushja e detyrimeve dhe kërkesave bazë të paracaktuara në Kodin e Standardeve dhe Kornizën Vet-Vlerësuese të KS nga OJF-të, do të sigurohet nga Komiteti i Kodit, i cili do të shërbejë si strukturë vlerësuese për OJF-të që dëshirojnë të anëtarësohen apo të ruajnë anëtarësinë në KS. Komiteti, është një strukturë vullnetare, e përbërë nga 5 anëtarë të propozuar dhe zgjedhur nga Asambleja e Kodit, bazuar në një tërësi kriteresh profesionale dhe organizative të paracaktuara.
Komiteti i parë i Kodit të Standardeve i votuar nga Asambleja përbëhet nga:
- Ana Majko, Nisma Arsis
- Blerta Cani, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
- Kristina Voko, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – BIRN Albania
- Mihallaq Qirjo, Qendra Burimore e Mjedisit, Shqipëri, REC
- Mirela Arqimandriti, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Partnerët Shqipëri përmes Qendrës Kombëtare Burimore, do të luajë rolin e Sekretariatit të Kodit të Standardeve duke lehtësuar dhe koordinuar zbatimin e KS. Sekretariati gjithashtu do të jetë përgjegjës për informimin dhe ndërgjegjësimin mbi KS si dhe promovimin e tij brenda vendit, në rajon dhe më gjerë si një mekanizëm i rëndësishëm në ngritjen e standardeve të veprimtarisë së sektorit në Shqipëri.