Konferenca Kombëtare e QSHPZH: Më shumë punë me politikat SHSR, veprimtaritë, dhe angazhimin e të rinjve
Më 7 qershor 2022, Qendra shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) organizoi Konferencën Kombëtare «Qasja e të rinjve në informacion, edukim dhe kujdes ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues (SHRS) në Shqipëri gjatë kohës Covid-19», ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e këtij studimi të ndërmarrë në kuadër të Projektit trevjeçar “Zëri i të Rinjve, Zgjedhjet e të Rinjve”, i dedikuar për të siguruar që kujdesi shëndetësor seksual dhe riprodhues në Ballkanin Perëndimor bëhet më i arritshme dhe miqësor ndaj të rinjve në kohë më afatgjatë, duke mësuar nga përvoja e Covid-19. Ky studim është mbështetur nga Merck for Mothers, koordinuar në nivel rajonal nga Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Familjar, Rrjeti Europian (IPPF EN) dhe zbatuar nga 5 vende të Ballkanit (Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Bosnjë Herzegovina dhe Bullgaria).
Konferenca pati si qëllim ndarjen e gjetjeve të studimit për aksesin në shërbime dhe informacion dhe rolin e shërbimeve dixhitale të integruara, me fokus në komunitetet që jetojnë në zona të largëta dhe në kushte të pafavorshme sociale , ndarja e rekomandimeve dhe praktikave të mira. Kjo konferencë pati një pjesëmarrje masive me mbi 50 të ftuar nga institucionet shtetërore, organizata të shoqërisë civile, akademikë, ekspert të fushës së shëndetit seksual dhe riprodhues, partner ndërkombëtar dhe të rinj.
Në panelin e Konferencës i cili moderohej nga Dr. Elona Gjebrea, Drejtore Ekzekutive e QShPZh, ishin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore si Prof. Mira Rakacolli, Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS), Dr. Nina Guga, Zv/Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Dr.Klodiana Spahiu, NënKryetare e Komisionit për Shëndetësinë dhe Cështjet Sociale dhe Z.Kadri Gashi, Drejtor Ekzekutiv, organizata partnere SIT, Kosovë.
Në fjalën e saj Prof. Rakacolli përmendi rolin dhe punën që ka bërë Ministria e Shëndetësisë gjatë pandemisë së Covid-19. Gjithashtu, Prof. Rakacolli përmendi strategjitë kombëtare që janë miratuar apo që do të miratohen së shpejti sikurse “Strategjia Kombëtare e Shëndetit Riprodhues”. U theksua se në ndryshim nga strategjia e mëparshme kjo është një strategji më gjithëpërfshirëse, ku të dyja gjinitë, burra/djem dhe gra/vajza përfshihen njësoj, grupet vulnerabël po ashtu zënë një rol të rëndësishëm brenda kësaj strategjie. Brenda paketës bazë të kujdesit shëndetësor përfshihet ofrimi i shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues. Ndër të tjera, përsa i përket parandalimit, Prof.Rakacolli theksoi dhe përfshirjen e programit të vaksinimit falas për vaksinën e HPV për vazjat nën moshën 13 vjeç, që pritet të fillojë së shpejti.
Dr. Guga u ndal në mundësimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës në arsimin para-universitar, dhe rolin thelbësor që mësuesi ka patur kryesisht gjatë pandemisë së Covid-19, ku ndër të tjera ka luajtur dhe rolin e psikologut.
Dr. Klodiana Spahiu si Nën/Kryetare e Komisionit për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, padyshim vuri theksin tek bashkëpunimi ndër-institucional, bashkëpunimi me qendrat komunitare dhe njësitë vendore. Dr. Spahiu theksoi se strategjitë e reja të miratuara do të ndihmojnë shumë në këtë drejtim, dhe për më tepër në cilësinë e Deputetes së Qarkut të Durrësit vuri theksin tek vazhdimësia e përcjelljes së informacionit masiv në komunitet, me fokus tek të rinjtë.
Së fundmi në panel, Z.Gashi falenderoi QShPZh si partnere që me eksperiencën e saj disavjecare ka ndihmuar organizatën e tyre në ngritjen e kapaciteteve. Ne fjalën e tij, Z. Gashi ndau disa praktika të mira ku theksoi se situate e edukimit seksual gjithëpërfshirës për të rinjtë është e njëjtë dhe për Kosovën, ndërkohë që përgëzoi Shqipërinë në avancimet që janë bërë për të patur strategji dhe ligje dedikuar shëndetit seksual dhe riprodhues, gjë që në Kosovë është ende një mangësi.
Pas ndarjes së eksperiencave, situatës aktuale dhe sugjerimeve të përfaqësuesve shtetëror për adresimin e fushës së shëndetit seksual dhe riprodhues me të gjithë komponentët e saj, iu dedikua kohë audiencës/pjesëmarrësve për diskutime, sugjerime dhe rekomandime.
Dr. Gjebrea citoi rolin e medias, si një shtyllë kryesore për komunikimin e këtyre temave dhe përcjelljen e tyre saktë dhe sa më afër audiencës.
Për të ndarë disa praktika në drejtim të medias, fjala iu dha gazetares Z.Valbona Sulçe e cila i kushtoi rëndësi në fjalën e saj kanaleve të informacionit që përdoren sot nga të rinjtë, besueshmëria e informacionit që ndahet në to. Fuqizimi i medias për të publikuar tema qe i interesojnë adoleshentëve, duke qenë se ka pak programe që trajtojnë këtë fushë.
Gjithashtu, një theks i veçantë u vu tek prezenca e stigmës, stigma për të komunikuar me të rinjtë ne shkollë për këto tema, apo dhe prindërit pë të folur hapur me të fëmijët e tyre, prandaj gjenerimi i këtij raporti duhet të shërbej si një nxitje për të gjithë gazetarët.
Sugjerime të tjera që rezultuan nga pjesëmarrësit konsistuan në:
- Puna në vazhdim për adresimin e rekomandimeve që kanë dal nga studimi
- Të jepet rëndësi mediatorëve shëndetësor dhe rolit të tyre, kryesisht për target grupe Romë, Egjiptian.
- Të rifreskohet grupi i shëndetit riprodhues për të avancuar punën në këtë drejtim
- Të shtrëngohet fort partneriteti i sinqertë midis të gjithë aktorëve
- Bashkëpunim i gjerë i sektorit publik me atë privat, OJF etj., për të plotësuar ofrimet që ofrohen
- Të investohet dhe punohet fort për të shtrirë edukimin seksual gjithëpërfshirës në mjediset jashtë shkolle.
- Përgatitja e strukturave në kohë krizash sidomos pas krizave që kaluam me tërmetin, pandeminë etj.
- Kur punojmë në këtë drejtim duhet të kemi parasysh konceptet e ‘pandemisë online’ dhe ‘faqen e gjithologëve (pra kushdo di gjithçka)’
- Të intensifikohen fushtat mediatike me fokus në shëndetin seksual dhe riprodhues.
- Të përfshihet koncepti i klubeve të prindërimit
- Prezenca e strukturave multidisiplinare.
Në përfundim, disa cilësime të fundit u bënë nga përfaqësuesit e institucioneve ku u theksua zbatimi i rregulloreve në shkolla siç duhet ku adresohen kompetencat e të gjithë punonjësve siç duhet; ka nisur bashkëpunimi i parlamentit me shoqërinë civile dhe kushdo mund të bashkohet për të intensifikuar këtë bashkëpunim; po punohet që strategjitë e reja të përfshijnë module të veçanta që do tu vijnë në ndihmë të rinjve me aftësi të kufizuara. Në mbyllje të takimit u falënderuan të gjithë aktorët që ishin të pranishëm dhe u theksua se tryeza të ngjashme do të bëhen në vazhdim duke përfshirë dhe aktorë të tjerë si Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Agjencia Kombëtare e Rinisë. etj.