QSHPZH çdo ditë në luftë për parandalimin e kancerit të qafë së mitrës
4 Shkurt 2021
Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, 4 shkurti, është e vetmja nisëm, ku të gjithë aktorët mund të bashkohen në luftën kundër epidemisë globale të kancerit
A E DINI SE?
Kanceri i qafës së mitrës në Shqipëri është një problem i shëndetit publik. Megjithëse një sëmundje e parandalueshme ai është kanceri i dytë më i shpeshtë midis grave në moshë riprodhuese (15-49 vjeçe), pas kancerit të gjirit.
Shkaku kryesor i kancereve të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik nga viruset onkogjenike të papillomës njerëzore (Hr-HPV), i cili zakonisht përhapet nga kontakti seksual.
Sipas të dhënave zyrtare të vendit, shkalla mesatare e vdekshmërisë për shkak të kancerit të qafës së mitrës për periudhën 2013-2017 në Shqipëri është 2.9/100,000. Raporti i vdekshmërisë/incidencës për kancerin e qafës së mitrës në Shqipëri është 32%.
Në një vlerësim konservator, kanceri i qafës së mitrës i ka kushtuar shoqërisë shqiptare të paktën gjashtë milion dollarë amerikanë në vit, për shkak të humbjes së produktivitetit dhe kostove të lidhura me sistemin shëndetësor.
Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, me mbështetjen e partnerëve sic janë Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Shqipëri/UNFPA Albania dhe Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Familjar/International Planned Parenthood Federation EN kontribuon në parandalimin, diagnostikimin dhe referimin e kancerit të qafës së mitrës përmes ndërhyrjeve të mirëstrukturuara:
- Lidhur me masat parandaluese, më 30 janar, 2019 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale miratoi Planin Kombëtar për Depistimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili nisi të zbatohej nën lidershipin e Institutit të Shëndetit Publik nën koordinimin e QShPZh. Ky moment shënoi një gur themeli në përpjekjet për të përmirësuar shëndetin e grave dhe vajzave në Shqipëri. Në periudhën 2019-2020, 33,850 gra në moshë riprodhuese janë depistuar përmes metodës së testimit për Virusin e Papilomës Njerëzore me vetë marrje.
- Në kuadër të ngritjes së Programit të ri Kombëtar të Depistimit, rreth 700 profesionistë shëndetësorë nga rreth 400 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë tashmë të trajnuar për të ofruar depistimin dhe referimin per kancerin e qafës së mitrës.
- 50000 materiale informuese në ndihmë të mjekut dhe grave përfshirë dhe gratë që rezultojnë HPV+, janë shpërndarë në nivel kombëtar.
- Gjatë vitit 2020 QSHPZH koordinoi studimin e realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik “Hartëzimi i kapaciteteve për ekzaminimin kolposkopik dhe ndjekjen e grave HPV. QSHPZH do të vazhdojë të koordinojë punën e Institutit të Shëndetit Publik për ngritjen e regjistrit kombëtar për Kancerin e Qafës së Mitrës.
- QSHPZH vazhdon të ofrojë shërbime për parandalimin, diagnostikim të kancerit të qafës së mitrës – Pap Test, kolposkopi pranë klinikave të saj në Tiranë dhe në Vlorë dhe referim.