QENDRA AULONA
15 Qershor, 2020 Komentet te QENDRA AULONA Janë të Mbyllura Qendra Aulona ACPD
QENDRA SHQIPTARE PËR POPULLSINË DHE ZHVILLIMIN
(Albanian Center for Population and Development)
QENDRA AULONA VLORË
Historiku i organizatës

Qendra  “Aulona” në Vlorë është themeluar si degë e Shoqatës së Planifikimit Familiar, më nëntor 1998.

Qendra Aulona ka një staf të përbërë nga Menaxherja e Qendrës dhe infermierja që punojnë me kohë të plotë. Po ashtu me kohë të pjesshme punojnë dy mjeke gjinekologe, një psikologe dhe një pastruese. 

Qendra Aulona ka grupin e saj të vullnetareve nga të cilët 25 janë më aktivë dhe mbështesin fushatat dhe aktivitetet e tjera si edukatore bashkëmoshatarë .

Qendra Aulona ka një shtrirje të aktiviteteve në të gjithë rrethin e Vlorës, duke përfshirë qytetin si dhe katër njësitë administrative Qendër, Orikum, Shushicë dhe Novoselë.

 Qendra Aulona ka punuar fort në zonat rurale të rrethit të Vlorës për një periudhë 6 vjeçare: 2012-2018 përmes projektit të financuar nga Olof Palme International Center dhe qeveria suedeze të titulluar “Gratë dhe vajzat e zonave rurale, faktorë ndryshimi në komunitet” si dhe projektit “Mobilizimi i grave për zhvillimin e komunitetit” . Janë ngritur katër Forume të pavarura të Grave në secilën nga njësitë administrative Qendër, Orikum, Novoselë e Shushicë. Gratë pjesëmarrëse në këto forume janë fuqizuar përmes trajnimeve dhe takimeve të herëpashereshme me pushtetin vendor dhe Aleancën e Grave Këshilltare të Vlorës për të advokuar për nevojat e tyre pranë pushtetit vendor. Po ashtu Qendra ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë shërbime për shëndetin e gruas në këto zona rurale për të rritur aksesin e tyre.

Target grupet me të cilat punojmë: të rinjtë në nevojë, të marxhinalizuar, gratë në përgjithësi dhe gratë në nevojë, viktima të dhunës në familje etj.

Çdo vit mijëra gra dhe të rinj përfitojnë nga shërbimet që ofrohen në qendrat e shërbimit të QPZH. Nevojat e klientëve, opinionet dhe sygjerimet luajnë një rol të rëndësishëm në dizenjimin e shërbimeve të reja, materialet informative, pajisjen e qendrave, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Qendra Aulona ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me rrjetin e organizatave të tjera aktive në Vlorë duke organizuar së bashku fushata ndërgjegjësimi për të drejtat e grave si dhe çështje të rinisë në ditët botërore si 8 Mars, Dita e Rinisë, Dita e popullsisë, 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës më bazë gjinore, dita antitrafik , dita botërore e kontracepsionit, e luftës kundër stigmës së abortit etj.

 Gjatë këtyre 20 viteve të aktivitetit të saj, Qendra Aulona ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me qeverinë lokale.

Ofron shërbime të liçensuara të përkujdesit komunitar e shoqëror si dhe shërbime shëndetsore për shëndetin riprodhues.

Lista e shërbimeve të ofruara çdo ditë në Qendër:

  • Këshillime për Planifikimin Familiar dhe shëndetin Riprodhues
  • Kontraceptivë të të gjitha llojeve
  • Teste shtatëzanie
  • Vizita gjinekologjike dhe obstetrike
  • Pap testi ( ekzaminim rutinë që parandalon kancerin e qafës së mitrës)
  • Ekografi gjinekologjike dhe obstetrike
  • Këshillime psiko-sociale të liçensuara.
  • Shërbime për abortin
  • Teste për HIV
  • Trajnime të akredituara për personel mjekësor në fushën e shëndetit riprodhues
  • Seminare informuese me të rinjtë, gratë dhe familjet e tyre si dhe aktivitete ndërgjegjësuese.

Besueshmëria drejt shërbimeve të ofruara nga Qendra e Gruas “Aulona” në Vlorë udhëhoqi në zbatimin e një projekti në partneritet me qeverinë lokale (loan nga Banka Botërore) në lidhje me themelimin e një qëndre për shërbime sociale të integruara për gratë në nevojë, familjet dhe të rinjtë vlonjatë në rrezik.  ( 2005 – 2008) Aktualisht Bashkia Vlorë në vazhdim të këtij projekti ofron mjediset e saj në huapërdorje për Qendrën Aulona në kuadër të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror për gratë dhe të rinjtë në nevojë. Qendra Aulona raporton çdo katër muaj statistikat e shërbimeve shoqërore tek Bashkia.

Qendra Aulona ka ngritur Aleancën e Grave Këshilltare Vlorë dhe duke fuqizuar gratë e komunitetit rural advokon së bashku me to për përmbushjen e kërkesave më prioritare të tyre si dhe të kontratës sociale 2015, 2019 të nënshkruar me kryetarin e Bashkisë Leli.

Si rezultat i lobimit dhe advokacisë për të drejtat e grave janë arritur rezultate të rëndësishme të reflektuara në buxhetin e bashkisë në këto dy vitet e fundit. Po ashtu janë adresuar nga Bashkia pesë nga 10 pikat e kontratës sociale.

Në kuadër të bashkëpunimit 20 vjeçar me Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik Vlorë, Qendra e ka forcuar bashkëpunimin me këtë institucion duke organizuar  shpesh trajnime për profesionistë të shëndetit nga rrethe dhe zona rurale të ndryshme. Temat e trajnimeve përfshijnë: prezantim i përgjithshëm i shëndetit riprodhues, kujdesi para dhe pas lindjes, parandalimi i SSTve, HIV/SIDAs, planifikimi familjar, këshillimi psikologjik, aborti dhe stigma ndaj abortit, dhuna seksuale dhe me bazë gjinore etj

Qendra është anëtare e Mekanizmit të Referimit të Rasteve të dhunës, Tryezës Multidisiplinare Teknike si dhe e Komitetit Rajonal Antitrafik.

Qendra Aulona ka qenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të organizuara nga Bashkia Vlorë për hartimin e Planit Social të Bashkisë Vlorë gjatë këtyre 15 viteve të fundit. 

Duke pasur si grupe target gratë dhe të rinjtë, kjo qendër e njohur  për profesionalizëm dhe për shërbimet cilësore që ofron, ka kontribuar në përmirësimin e shëndetit riprodhues, planifikimit familjar dhe të situatës së shëndetit riprodhues në Vlorë, duke siguruar akses në shërbime dhe informacion cilësor dhe të përshtatshëm.

Po ashtu Qendra ka kontribuar në përmirësimin e demokracisë lokale duke fuqizuar gratë rurale, duke i bërë të afta të ngrenë zërin për nevojat e tyre, dhe duke mbështetur Bashkinë Vlorë në proçeset e buxhetimit me pjesëmarrje. 

Qendra ka një kanal në Youtube ku pasqyron të gjithë aktivitetin e saj dhe kronikat apo emisionet në TV për të rritur vizibilitetin e punës së saj.

Qendra ka një faqe aktive në Facebook me rreth 3250 ndjekës, në të cilën gjenden të pasqyruara të gjitha aktivitetet e saj në kohë reale. Po ashtu së fundmi është hapur edhe faqja e saj në Instagram.  

https://www.facebook.com/qendra.aulona/  me  3232 ndjekës

http://instagram.com/qendraaulona?igshid=pwfehv46muw0     mbi 1,000 ndjekës

PROFIL

Enela Mone është menaxherja e Qendrës Aulona, degë e ACPD në jug të Shqipërisë, qysh më shtator 2002.

Ajo ka një experience të gjerë 20 vjeçare në fushën e menaxhimit të projekteve në sektorin e OJFve duke punuar për të drejtat dhe shëndetin e grave dhe të rinjve. 

Ajo ka menaxhuar shumë projekte jo vetëm në fushën e edukimit, shoqërore dhe shëndetsore  por edhe projekte që kanë pasur si qëllim të fuqizojnë të rinjtë, gratë dhe komunitetin rom dhe të rrisin pjesëmarrjen e tyre në vendimarrjen vendore.

 Ajo ka punuar po ashtu për të fuqizuar gratë rurale dhe për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet nga zyrtarët vendore. Si rezultat i përpjekjeve të saj advokuese dhe lobuese një kontratë Sociale është nënshkruar me 2015 dhe 2019 me kandidatët për kryetare Bashkie në Vlorë me 10 çështje prioritare të grave të zonave rurale.

Gjatë viteve 2015-2019 ajo ka punuar për të ngritur dhe fuqizuar Aleancen e Grave Këshilltare të Këshillit Bashkiak Vlorë, ( me mbështetjen e Olof Palme International Center) dhe si pjesë e këtij keshilli, ka patur rezultate konkrete në përmirësimin e politikave dhe shërbimeve për gratë e bashkisë Vlorë.

Ajo përfaqësoi denjësisht ACPD si organizatë kampione për Europën në çështjet gjinore (në kuadër të rrjetit IPPF) përmes prezantimit të posterit në takimin me donatorët e IPPF në Londër më qershor 2016.

Znj. Mone ka vendosur bashkëpunim shumë të mirë me organizatat lokale dhe institucionet shtetërore në Vlorë. Ajo ka qenë një faktor për forcimin e shoqërise civile (duke punuar si koordinatore për jugun për Qendrën Kombëtare Burimore të shoqërise civile në Vlorë) dhe një aktore që ka sjellë ndryshime për kategoritë në nevojë duke qenë anëtare e zgjedhur e këshillit Bashkiak të qytetit.     Ajo ka ndikuar për forcimin e rrjetit të OJFve kundër dhunës me bazë gjinore dhe ka drejtuar fushata të rëndësishme advokacie. Puna dhe përkushtimi i saj kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore ka ndikuar për rritjen e vizibilitetit të ACPD duke e vendosur atë në vijen e parë për të drejtat e grave.

Për autorin