Seminar trajnues dy ditor me anëtarët e Mekanizmit të Referimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Korçë.

Në datat 23 dhe 24 tetor 2017, UNFPA Shqipëri, zyra rajonale e UNFPA-së (UNFPA EECARO) dhe Institutit të Evropës Lindore për Shëndetin Riprodhues (EEIRH), në bashkëpunim me PNUD Shqipëri, dhe kordinuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHZh),   organizuan në Korçë seminarin trajnues dy-ditor me titull: “Fuqizimi i shërbimeve të ofruara për viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”.

Qëllimi kryesor i këtij seminari trajnues ishte diskutimi mbi përgjigjen shumë-sektoriale të ofrimit të shërbimeve për viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në paketën e udhëzimeve globale për shërbimet bazë që iu duhen ofruar viktimave/të mbijetuarave si dhe në Procedurat Standarde të të Vepruarit (PSV-të) për sektorët kryesorë që i mundësojnë këto shërbime. Pjesëmarrës në këtë seminar trajnues dy ditor ishin anëtarët e Mekanizmit të Referimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Korçë, konkretisht përfaqësues nga: Bashkia dhe njësitë administrative, Drejtoria e Policisë, Drejtoria Arësimore Rajonale, Gjykata, Zyra Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe Shëndetësia. Përfaqësuesja e UNFPA ECCARO dhe ekspertja e EEIRH prezantuan tek anëtarët e Mekanizmit të Referimit Korçë paketën e udhëzimeve globale për shërbimet bazë si dhe Procedurat Standarde të të Vepruarit miratuar në nivel rajonal, ndërkohë që përfaqësuesja e UNFPA, ajo e PNUD, si dhe ekspertja e ACPD-së, përmes informacionit dhe analizës së situatës, nxitën diskutimet dhe shkëmbimin e ideve me pjesëmarrësit, për mënyrën se si këto module e procedura mund të zbatohen në praktikë në Shqipëri.  Komentet dhe sugjerimet e dhëna nga pjesëmarrësit do të reflektohen në punën që po bëhet për përshtatjen e këtyre instrumentave dhe përdorimin e tyre nga Mekanizmat e Referimit të ngritur tashmë, apo edhe tek ata që do të ngrihen në të ardhmen.

Ky seminar trajnues është pjesë e aktiviteteve që synojnë ndërtimin e sinergjive ndërmjet Agjensive të Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e bashkëpunimit me institucionet në nivel qendror e vendor, si dhe me aktorët përgjegjës për hartimin e një kuadri institucional dhe të standardizuar për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje.

Takim konsultues me përfaqësues të Bashkisë dhe Shoqatës “Unë, Gruaja”, Pogradec.

Në datën 24 tetor 2017 u organizua në Pogradec një takim konsultues i përfaqësues së Zyrës Rajonale të UNFPA-së (UNFPA EECARO), përfaqësueses së UNFPA-së Shqipëri dhe ekspertes së ACPD-së me përfaqësues të Bashkisë Pogradec e Shoqatës “Unë,  Gruaja”. Në takimin konsultues u përqendruan në mënyrën e funksionimit të Mekanizmit të Referimit në Pogradec, si dhe në nevojën për aplikimin e paketës së udhëzimeve globale për shërbimet bazë si dhe Procedurave Standarde të të Vepruarit miratuar në nivel rajonal, si instrumenta tepër të rëndësishme për mirëfunksionimin dhe rritjen e efektivitetit të Mekanizmave të Referimit. Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu dhe nevojën për përgatitjen e standardeve dhe procedurave për mirëfunksionimin e Mekanizmave të Referimit, si dhe të shërbimeve të specializuara për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Shqipëri.

Seminar trajnues me pedagogët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Tiranë.

 Në datën 25 tetor 2017, UNFPA Shqipëri, zyra rajonale e UNFPA-së (UNFPA EECARO) dhe Institutit të Evropës Lindore për Shëndetin Riprodhues (EEIRH), dhe kordinuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHZh),    organizoi në Tiranë seminarin trajnues me titull: “Përgjigja efektive e profesionistëve të kujdesit shëndetësor kundrejt dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”.

Qëllimi kryesor i këtij seminari trajnues ishte përmirësimi i kapaciteteve të stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në lidhje me konceptin e përgjigjes shumë-sektoriale të ofrimit të shërbimeve për viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe rolin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor në këtë drejtim. Përmes prezantimit dhe diskutimeve mbi paketën e udhëzimeve globale për shërbimet bazë që u duhen ofruar viktimave/të mbijetuarave si dhe në Procedurat Standarde të të Vepruarit (PSV-të) për sektorin e shëndetësisë, u krijua një kuptim i përbashkët i nevojës për një aplikim sa më të mirë të kësaj qasjeje në Shqipëri. Po kështu, Pedagogët e këtij fakulteti reflektuan edhe mbi nevojën e përfshirjes në kurrikulat e tyre të temave të caktuara që përmirësojnë nivelin e njohurive të punonjësve të ardhshëm të kujdesit shëndetësor mbi rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Shqipëri.

Ky seminar trajnues është pjesë e aktiviteteve të ndërmara nga UNFPA Shqipëri dhe ACPD për mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike për përcjelljen e njohurive të domosdoshme në fushën e të shëndetit riprodhues si dhe përmirësimin e përgjigjes së koordinuar për trajtimin e  rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Shqipëri.