Përse është i rëndësishëm edukimi seksual gjithëpërfshirës (ESGJ)?

Përse është i rëndësishëm edukimi seksual gjithëpërfshirës (ESGJ)?

Edukimi seksual gjithëpërfshirës është një proces i bazuar në kurrikul të mësimdhënies dhe mësuarit në lidhje me aspektet konjitive, emocionale, fizike dhe sociale të seksualitetit. Ai synon të aftësojë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri, aftësi, qëndrime dhe vlera që do t’i fuqizojnë ata të njohin shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre; zhvillojnë marrëdhënie të respektueshme sociale dhe seksuale; të konsiderojnë se si zgjedhjet e tyre ndikojnë në mirëqenien e tyre dhe atë të të tjerëve; dhe të kuptojnë dhe sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre gjatë gjithë jetës së tyre.
Shumë të rinj marrin informacion të pasaktë dhe kontradiktor në lidhje me marrëdhëniet dhe seksin, pasi ato bëjnë kalimin nga fëmijëria në moshën e rritur. Kjo ka çuar në një kërkesë në rritje të të rinjve për informacion të besueshëm, i cili i përgatit ata për një jetë të sigurt, produktive dhe përmbushëse. Kur zhvillohet mirë, ESGJ i përgjigjet kësaj kërkese, duke i fuqizuar të rinjtë të marrin vendime të informuara në lidhje me marrëdhëniet dhe seksualitetin dhe të lundrojnë në një botë ku dhuna me bazë gjinore, pabarazia gjinore, shtatzënitë e hershme dhe të paqëllimta, HIV dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme (IST) akoma paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Po ashtu, mungesa e informimit dhe edukimit me cilësi të lartë mbi marrëdhëniet dhe seksualitetin, me moshë dhe zhvillim të duhur, mund t’i lënë fëmijët dhe të rinjtë të prekshëm ndaj sjelljeve të dëmshme seksuale dhe shfrytëzimit seksual.
ESGJ luan një rol vendimtar në adresimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve. Duke aplikuar një përqasje të përqendruar te nxënësit, ESGJ jo vetëm që u siguron fëmijëve dhe të rinjve edukim të përshtatshëm për moshën dhe me faza mbi të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, marrëdhëniet, riprodhimin, rreziqet e sjelljeve seksuale dhe parandalimin e shëndetit të keq, por gjithashtu ofron një mundësi për të paraqitur seksualitetin me një qasje pozitive, duke theksuar vlera të tilla si respekti, përfshirja, mosdiskriminimi, barazia, empatia, përgjegjësia dhe reciprociteti.

“Shkolla verore “Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës për një jetë premtuese” Vlorë 2019

“Shkolla verore “Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës për një jetë premtuese” Vlorë 2019

Stafi i qendrës Aulona së bashku me vullnetarët organizuan shkollën verore tre ditore në muajin Maj 2019, me temë “Edukim Seksual Gjithëpërfshirës për një jetë premtuese!” në ambjentet e hotel Diamond Hill në Vlorë. Njëzet të rinj duke përfshirë të rinj nga grupet në nevojë përfituan edukim/informim sesi të shmangin sjelljet e rrezikshme, si të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme sociale dhe intime; si të mendojnë në mënyrë kritike, si të kujdesen për veten; si dhe ku mund të marrin shërbimet miqësore për të rinjtë për një shëndet më të mirë dhe jetë të lumtur.
Gjatë sesioneve praktike pjesëmarrësit hartuan disa plane për jetën e tyre. Këto plane përfshinë regjistrimin në shkollë; shmangien e martesës së hershme; mbrojtjen nga shtatzënitë e paqëllimshme, infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe HIV/SIDA; përdorimin e kontracepsionit, shmangien e përdorimit të drogës apo alkolit etj.

Të thyejmë tabutë me çdo gjeneratë

Mësuesja e shkollës së mesme Nevjana Muça nga Tirana thotë se është duke u bërë më i lehtë të diskutimi për edukimin seksual në shkolla. “Në të kaluarën, unë u kam kërkuar studentëve të diskutojnë tema të caktuara, dhe më janë përgjigjur se baballarët e tyre nuk i lejojnë që ata të flasin për këtë. Unë nuk has kaq shumë vështirësi tani, megjithëse fatkeqësisht tabutë vazhdojnë tëekzistojnë, “thotë Muça. “Theksojmë për të gjithë prindërit, mësuesit dhe studentët që të rinjtë sa më të informuar te jenë kur fillojnë marrëdhëniet seksuale, aq më të mira dhe më të shëndetshme do të jenë këto marrëdhënie dhe po aq më të përgjegjshëm, të pjekur dhe të përgatitur do të jenë në jetë këta të rinj.”
Oriana Osmani, një nënë nga Tirana, thotë se dëshironte që vajza e saj tani 18-vjeçare “të dijë sa më shumë të jetë e mundur për edukimin seksual”. Edhe pse ishte e vështirë kur vajza e saj ishte më e re, ajo vendosi të mos fikte TV kur u shfaq një skenë seksuale në një film, dhe në vend të kësaj u përpoq të fliste hapur për ato që po shfaqeshin në ekran. “Nuk kam pasur ndonjë përvojë të tillë me nënën time, kështu që ishte e vështirë për mua,” thotë Osmani. “Unë besoj se do të jetë më e lehtë për vajzën time të flasë me fëmijët e saj për seksin kur të bëhet prind.”
Mësimet e shëndetit seksual dhe riprodhues të prezantuara në shkollën e Marjo Rabiaj në Ballsh e frymëzuan atë që të stërvitej si edukator i bashkëmoshatarëve. Ai është vullnetar për një organizatë rinore (Qendra PO) që promovon çështje rinore, përfshirë stilin e jetës së shëndetshme, edukimin seksual dhe pjesëmarrjen e të rinjve. “Më pëlqen ta shpërndaj fjalën mes bashkëmoshatarëve të mi se çdo i ri ka të drejtë të jetojë një jetë të shëndetshme dhe të ndërtojë një të ardhme të sigurt, dhe se edukimi seksual na ndihmon ta bëjmë atë,” thotë Rabiaj.
Diskutimet e sinqerta në shkollë gjithashtu ndihmuan Rabiaj dhe e dashurën e tij të flisnin më hapur për seksin dhe marrëdhënien e tyre, thotë ai. “Ne kishim kaq shumë pyetje, të cilat tani e kanë marrë përgjigjen,” thotë ai. “Ndihemi më të qetë tani, bisedojmë hapur, dhe unë mendoj se kemi një jetë të shëndetshme seksuale tani dhe po mbrojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin të mbetemi të shëndetshëm.”

“Edukimi seksual pa frikë dhe turp për të rinjtë në Shqipëri”

“Edukimi seksual pa frikë dhe turp për të rinjtë në Shqipëri”

BALLSH, Shqipëri – Nuk është gjithmonë e lehtë të flasësh me të rinjtë për shëndetin seksual dhe riprodhues në klasë.
“Kurdoherë që ngrihej një pyetje për trupat tanë në klasën e biologjisë, kishte të qeshura dhe pëshpëritje; disa studentë skuqeshin dhe të tjerë u trulloseshin, “thotë Marjo Rabiaj, 17 vjeç, nga Ballshi, një qytet i vogël në jug të Shqipërisë. “Pra, ndonjëherë mësimi nuk zhvillohej fare, sepse mësuesi thoshte që ishim shumë të papjekur për të diskutuar tema të tilla. Isha aq kurioz dhe i etur për të mësuar, por meqë këto tema quheshin “të turpshme”, nuk mund t’i diskutoja me askënd. ”
Kur Rabiaj dhe e dashura e tij kryen për herë të parë marrëdhënie seksuale, ata nuk përdorën asnjë metodë kontracepsioni dhe e gjetën veten në telashe nga kjo përvojë “Kishim shumë frikë, dyshim dhe pasiguri në lidhje me atë nëse ishte e drejtë apo e gabuar, çfarë mund të prisnim më pas, çfarë do të mendonin të tjerët nëse do ta zbulonin,” thotë ai. “Ne vendosëm ta ruajmë sekretin dhe nuk folëm më për të. Asnjëherë nuk e pyeta se si ndjehej ajo pas marrëdhënies së pare seksuale. ”
Por një ditë, një mësues njoftoi se shkolla e Rabiaj do të merrte pjesë në një program pilot për të prezantuar edukimin seksual gjithëpërfshirës në shkollat në Shqipëri. Mësuesi kishte marrë trajnime speciale për këtë temë dhe kishte sjellë dy të rinj bashkëmoshatarë nga Tirana të trajnuar më parë. Në fillim kishte disa të qeshura dhe të skuqura, kujton Rabiaj, “por së shpejti filluam të kishim disa klasa me tema për të cilat nuk kishim folur kurrë më parë. Dhe të gjithë shokët tanë të klasës filluan të ndjehen më të qetë.

“Mësuesi dhe edukatorët e bashkëmoshatarëve që erdhën në shkollën e Rabiaj janë ndër qindra të cilët janë trajnuar si pjesë e një partneriteti midis UNFPA dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. UNFPA ka punuar me ministrinë dhe partnerë të tjerë në Shqipëri për gati një dekadë për të institucionalizuar edukimin seksual gjithëpërfshirës, të përshtatshëm për moshën, si pjesë e kurrikulës për fëmijët 10 – 18 vjeç në shkollat shqiptare .Një reformë e plotë e kurrikulës, përfshirë një sistem monitorimi për të siguruar cilësinë e mësimdhënies dhe materialet, është duke u zhvilluar me një datë të synuar të vitit 2020 për zbatimin e plotë.

“Edukimi seksual është një pjesë shumë e rëndësishme e edukimit shëndetësor dhe aftësive për jetën e të rinjve,” thotë Zamira Gjini, drejtore e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. “Eshtë detyrë e shkollës të sigurojë këtë edukim dhe të ndërgjegjësojë prindërit, agjensitë e shërbimeve sociale dhe qeverisjen vendore për këtë dhe tema të lidhura me këtë çështje, duke përfshirë mbajtjen e vajzave në shkollë dhe shmangien e martesës së fëmijëve.”

“Cdo person i ri ka të drejtën të jetojë një jetë të shëndetshmë e të ndërtojë një të ardhme të sigurtë, edukimi seksual na ndihmon të bëjmë këtët.” –Marjo Rabiaj, 17, edukator i bashkëmoshatarëve në Ballsh, Shqipëri

Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës dhe Fuqizimi i të Rinjve

Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës dhe Fuqizimi i të Rinjve

Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe zbatimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës në nivelin parauniversitar. Një Dokument Pozicionimi mbi Edukimin Seksual Gjithëpërfshirës për të rinjtë në Shqipëri ’është aprovuar në vitin 2012 dhe nga viti 2015 Edukimi Gjithëpërfshirës i Seksualitetit filloi të zbatohet në shkolla. Sidoqoftë, programi I edukimit seksual nuk është zhvilluar për të arritur tek fëmijët / të rinjtë nga popullata kyçe në mjediset informale. Shumë të rinj nga popullata kyçe nuk janë në shkollë dhe nuk arrihen nga programet e zhvilluara në shkollë.
Ka një kundërshtim të gjerë me mësimin e edukimit seksual në vend. Prindërit, kujdestarët, anëtarët e komunitetit dhe mësuesit gjithashtu e shohin edukimin seksual si një faktor që shtyn në seks të hershëm. Ata argumentojnë se shkon kundër kulturës shqiptare, se shkollat duhet të promovojnë vlera morale në zbatim të edukimit seksual. Ata mendojnë se edukimi seksual mund të jetë në rregull për të rinjtë por jo për fëmijët dhe të rinjtë në moshat e reja.
Trajnimi i personelit shëndetsor duhet të përfshijë qsje të bazuara në të drejtat njerëzore duke adresuar nevojat e të rinjve nga popullata kyçe. Për shembull, një nga objektivat e MISP(paketa e shërbimeve të integruara mjekësore) është zvogëlimi I transemtimit të HIV dhe planifikimi për kujdesin e shëndetit riprodhues dhe seksual gjithëpërfshirës. Trajnuesit mund të përfshijnë informacionin e të rinjve të popullatës kyçe brenda kesaj çështje me qëllim ngritjen e kapaciteteve të personelit shëndetsor për të ofruar shërbime pa stigma, respektuese dhe ti ndërgjegjësojë ata më çështjet që përballen të rinjt punonjës seksi, të rinjtë MSM, të rinjtë që injektojnë drogë etj.
Në qershor 2017, UNFPA në Shqipëri prezantoi krijimin e “Platformës së Mediave mbi Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”. Përmes kësaj iniciative u krijua një rrjet gazetarësh që bashkëpunojnë për çështje që i përkasin SRH, përfshirë praktikat e dëmshme / dhunën me bazë gjinore dhe stilin e jetës së shëndetshme, me një fokus të veçantë te të rinjtë dhe për të mbështetur njëri-tjetrin për të raportuar mbi temat e SRHR-së që mbulohen më pak, ose raportohen në mënyra që forcojnë stereotipet dhe diskriminimin. Përmes kësaj platforme mediatike të SRH, gazetarët kanë patur mundësi për të shkëmbyer ide, lajme, histori, të dhëna dhe debate të hapura në media për edukimin seksual gjithëpërfshirës, planifikimin familjar dhe përdorimin e kontraceptivëve modernë, IST dhe HIV, shtatzënitë e paqëllimshme, martesat e hershme të fëmijëve dhe praktikat e dëmshme, shtatzënitë dhe abortet në adoleshencë dhe ndikimi në edukimin dhe mirëqenien e të rinjve, fuqizimin e të rinjve dhe pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje që prekin jetën e tyre, luftën kundër dhunës dhe pabarazive gjinore dhe shumë më tepër.

Asgjë e re, asgjë e vjetër

Asgjë e re, asgjë e vjetër

Gjithmonë brenda harkut kohor të 23 viteve diçka e zakonshme ma mbush ditën me idenë se nuk jam vetëm. Shumë njerëz anembanë botës, dikush i ikur e dikush duke u përpjekur të normalizojë ditën shprehimisht kanë një të përbashkët. Të gjithë fatkeqë mbase që nga dita e parë e jetës së tyre dhe të tjerë gjatë rrugës janë prezantuar me një rezultat ku të jesh pozitiv të bën negativ për shoqërinë në një farë mënyre. Une jam pozitiv që nga dita e parë e jetës time, plot 23 vjet të kaluara me diçka të re dhe njëkohësisht të vjetër. Çdo ditë që ka kaluar është njësoj si të ishte dita e parë e tregimit. Çdo buzëqeshje, çdo takim, çdo përqafim, çdo moment, çdo stinë, gjithçka në mënyrë pasive e kupton që nuk ka lindur me ty, perveç diçkaje që nuk është asgjë e re dhe asgjë e vjetër. Dashuria dhe sëmundja kanë pikërisht diçka të përbashkët tek unë. Linda nga dashuria e dy prindërve që ishin të prekur nga HIV-AIDS-i dhe unë isha I vetmi që ofroja siguri në një botë të panjohur në të cilën jetuam të gjithë bashkë për pak kohë. Dhe si çdo gjë ku dashuria dhe sëmundja bëhen bashkë në një histori, dikush duhet të sakrifikohet për hir të dashurisë nga sëmundja. Por e dhimbshmja qëndron tek fakti që edhe tek sakrifica po prapë nuk ka asgjë të re dhe asgjë të vjetër. Prapsëprapë aty qëndroi dhimbja e ikjes së tim ati nga jeta prej sëmundjes që është një venitje e dashurisë dhe njëkohësisht do jetë aty edhe mbas vdekjes së tij. Nga kjo ngjarë rreth moshës 9 vjeçare përpos faktit që mësova në mënyrë naïve se isha pjesëtar I botës së panjohur asokohe të HIV-AIDS-it sfidova veten se në një familje me shumë “pozitivë” brenda, nuk mund të shtyjmë njëri-tjetrin deri në fund drejt sakrificës së rradhës por mund të sfidojmë se kemi të kundërta nga mënyra se si e përjetojmë një ditë ose një histori të të qenurit HIV pozitiv. Nga e gjithë familja ime që përbëhet sot mbas ikjes nga jeta të babait tim, vetëm dy krijesa njëra hyjnore dhe tjetra tokësore, nuk janë të infektuara dhe janë të paidentifikuar brenda botës sonë të panjohur. Njëra prej tyre është motra ime që ka lindur pa u infektuar ende prindërit e mi (histori e veshtirë për t’i gjetur fillesën) dhe krijesa tjetër është qeni im Ringo me të cilin kam shpenzuar dhe po kaloj 9 vitë të mrekullueshme (besoj se kuptohet se cila krijesë është hyjnore). Të mbeturit në rrugëtimin tim me shumë luftë janë mamaja ime – një krijesë hyjnore në trajtë njerëzore, dhe dy vellezërit e mi të vegjël që janë binjakë me njëri-tjetrin –dy krijesa që për shkak të miticizmit që mban koncepti I binjakëve mund të jenë hyjnorë për shumë kultura. Unë jam asgjë e re dhe asgjë e vjetër , asgjë më shumë sesa një adoleshent që studion Filozofi dhe që jeton në Tiranë, Shqipëri, i angazhuar pranë Shoqatës Shqiptare të Personave që jetojnë me HIV/AIDS, dhe pranë Qendrë Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin/Qendrës Po, duke dhënë kontributin tim të vazhdueshëm. Duke përfaqësuar një nga grupet më të prekshme në Shqipëri, të rinjtë që jetojnë me HIV, e kam parë pjesëmarrjen time si kontributin për uljen dhe heqjen e stigmës, diskriminimit dhe konformizmit shoqëror për grupet vulnerabël dhe të margjinalizuar, veçanërisht si unë. Çdo zë dhe kontribut nga të rinjtë kanë një ndikim të madh në mbrojtjen dhe përparimin e shëndetit seksual dhe riprodhues. Të një rëndësie të madhe ka qenë dhe kontributi im në hartimin e një Mjeti për Popullatat Kyce, propozuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin/Qendra Po në kuadër të Youth Sexual Awareness for Europe (YSAFE). Në këndvështrimin tim mjetet për Personat që jetojnë me Aftësi të Kufizuar (PLWD) dhe Popullatën Vulnerabël janë instrumente shumë të rëndësishme dhe duhet të parandalojnë diskriminimin dhe të gëzojnë të drejtat për shëndetësi, trajtim dhe kujdes. Nuk jam ndjerë asnjëherë keq prej faktit që jam I sëmurë edhe pse nuk ndihem asnjë ditë I tillë. Nuk me detyrohet asgjë im atë dhe as mamaja ime që linda me një pozitivizëm të rrënjosur brenda meje pa dëshirën dhe dijeninë e tyre. Kam një histori ku bota e jashtme është përplasur me padijen që e rrethonte këtë sëmundje dhe asgjë tjetër. Bota I detyrohet vetes që të kuptojë se ku ka sëmundje nuk duhet të ketë asnjehere dhembshuri por dashuri. Në dhjetra raporte intime dhe shoqërore me njerëzit e kam kuptuar se nuk mjafton vetëm të dish mbi këtë sëmundje dhe vetëm kaq. Të duhet të mësosh ta duash jetën sepse kjo sëmundje nuk është asgjë e re dhe asgjë e vjetër në ditët e sotshme sesa një procëdure rutinore për shkallën e rrezikshmërisë apo vështirësisë me të cilën përballet pacienti apo individi. Më shumë hyn në bashkëveprim Stigma sesa virusi me komponentë të tjerë të jetës. Historia ime dhe besoj çdo histori me këtë tematikë I drejtohet botës së painfektuar me njerëz që mund të njohin dikë, të afërm apo jo që është I infektuar me HIV-AIDS. Në mënyrë të pavetëdijshme momenti I parë ku personi informohet ka një prirje për të shkuar drejt hapjes ndaj botës si I sëmurë kësaj rradhe. Nuk mendon fare për raportin me veten dhe ndaj sëmundjes por vetëm tek qasja e njerëzve të tjerë ndaj një sëmundjeje përgjithësisht të paragjykuar. Unë, si fëmijë , I prirur nga fakti që kisha parë tim atë të ndërronte jetë prej HIV-AIDS, në moment mendova se do vdisja kur e mora vesh që isha dhe unë I sëmurë. Vendosa dorën në zemër ndërkohë që po qaja dhe në një dakordësim fëmijënor e kuptova se përsa po rrihte ende , isha jashtë rrezikut për jetën. Sot si një 23 vjeçar përpiqem vetëm të ruaj të gjithë njerëzit që më rrethojnë nga çdo risk minimal që mund të mbajë sëmundja ime modeste. Nuk pretendoj të jem një histori suksesi, përsa kohë që kam bërë thjesht detyrën ndaj dashurisë për jetën, muzikën, librat, kinematografinë, sportet dhe nje pafundesie gjërash të tjera që ende po I eksploroj. Kam jetuar, asgjë më shumë. Në çdo shtet të botës ka njerëz që kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje dhe që jetojnë ende, ashtu si në Shqipëri. Luftojmë që numri i viktimave të mos rritet dhe dashuria të prevalojë në histori të thjeshta njerëzore. Për ju që po lexoni, kjo histori sështë asgjë e re përderisa u bêtë pjesë e saj tanimë dhe për mua është gjithmonë asgjë e vjetër teksa çdo ditë është një arsye më shumë për të jetuar dhe për të dhuruar dashuri dhe të qeshura. Unë quhem Klevis Hoxhaj dhe jam HIV pozitiv që nga dita e parë e jetës sime. Asgjë e re , asgjë e vjetër.

A e dini sa mund të përfitoni duke qenë vullnetar pranë Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) ?

A e dini sa mund të përfitoni duke qenë vullnetar pranë Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) ?

Kur u ktheva nga Shërbimi Vullnetar Evropian në Poloni, në vitin 2017, një mik i imi më rekomandoi të merrja pjesë në një kurs trajnimi për avokacinë në Shëndetin Riprodhues, të organizuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin. Sinqerisht,fusha e punës e QSHPZH-së më bëri të hezitoj, nëse duhet të bashkohem me organizatën apo jo. Unë jam një praktikuese myslimane, edhe pse nuk jam duke praktikuar kodin e veshjes myslimane. Unë mendoja se vlerat e organizatës janë kundër vlerave islamike për të cilat unë kërkoj. Sidoqoftë, vendosa ta shfrytëzoj këtë si një mundësi, duke njohur profilin e lartë të QSHPZH në vend, dhe rekomandimin e dhënë nga miku im. Asnjëherë nuk kam menduar që kjo do të ishte mundësia më e madhe në jetën time për ndërtimin e njohurive të mia për kujdesin riprodhues, të drejtat e grave dhe burrave për lirinë riprodhuese, një mundësi që do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin tim dhe karrierën time të ardhshme.
Pas këtij trajnimi kam marrë pjesë në Takimin Vjetor të YSAFE në vitin 2018. Më pas, vazhdova të isha pjesë e programeve QSHPZH për Edukimin Seksual Gjithpërfshirës, kornizën gjuhësore, avokim dhe ofrimin e shërbimeve. Ishte shumë mbresëlënëse të merrja pjesë në trajnimin e parë për kornizën gjuhësore. Mendja ime u ndriçua nga korniza të reja mbi abortin, edukimin seksual gjithëpërfshirës dhe kontracepsionin. Më duhet të rrëfej se Islami është frymëzimi im dhe një nga kolonat e mia të jetës sime. Megjithëse pas këtyre ngjarjeve, unë fillova të lidh vlerat morale të familjes dhe kujdesit shëndetësor që QSHPZH ka për qëllim, me ato të Islamit dhe duke i brendësuar të gjitha këto vlera brenda meje. Fillova të besoj se gratë kanë të drejtë të çlirohen nga shtrëngimi riprodhues dhe çdo formë e autoritetit që përpiqet të ndalojë këtë është një formë e detyrimit dhe shkeljes; fëmijëve u duhet njohuri për marrëdhënie të shëndetshme intime; familja ka nevojë për kujdes riprodhues për një jetë të shëndetshme dhe dinjitoze.
Disa muaj më vonë unë u propozova nga organizata ime si Përfaqësues Rinor në Komitetin Ekzekutiv Rajonal të IPPF-EN dhe u zgjodha fituese. Ky pozicion më bën krenar për veten time, njëkohësisht më jep shumë më tepër përgjegjësi për të përfaqësuar organizatën dhe të rinjtë e tjerë në këtë organ të rëndësishëm drejtues të IPPF.
Në maj, unë u ftova të flasim për planifikimin e familjes në një program të mëngjesit në një kanal televiziv kombëtar, Ora News. Kam përdorur të drejtën e grave për të mos patur detyrim riprodhues dhe videoja kishte një shtrirje të madhe në faqen e facebook të QSHPZH. Paraqitja ime e parë publike në media ishte shumë emocionuese, kështu që synoj ta përsëris. Herën tjetër do të marr me vete aktivistë të tjerë të QSHPZH-së për t’i dhënë jehonë punës së mahnitshme që po bëhet në fushën e shkrim-leximit për Edukimin Seksual, kujdesin kontraceptiv dhe lirinë riprodhuese.
Tani jam e angazhuar si një aktiviste kryesore rinore e nismave të avokimit për ESGJ dhe abortin. Njëkohësisht jam shumë e prirur për të përmirësuar bazën e mbështetësve të QSHPZH, përfshirë të rinjtë nga komuniteti mysliman. Tashmë 4 nga miqtë e mi kanë filluar të vijnë dhe të vizitojnë qendrën QSHPZH. Ne, aktivistë e QSHPZH-së jemi plotësisht të përkushtuar për të paraqitur arritjet në lidhje me kornizën gjuhësore.

Fushatë ndërgjegjësuese “ Komunikimi i vlerave tona sipas Kornizës sës së re të Ligjërimit në Shëndetin dhe të Drejtat Riprodhuese”

Në datën 3 Maj, në qytetin e Elbasanit u zhvillua fushata ndërgjegjësuese “Komunikimi i vlerave tona sipas Kornizës së re të Ligjërimit në Shëndetin dhe të Drejtat Riprodhuese”, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Infermierisë, përfaqësues nga organizatat lokale, Drejtoria e Shëndetit Publik, përfaqësues të Qendrave Shëndetësore, pjesëmarrjen e 60-70 anëtarëve të komunitetit dhe pjesëmarrjen e 15 anëtarëve të komunitetit Romë dhe Egjiptian dhe 15 anëtarëve të zonave rurale. Qëllimi i fushatës ishte forcimi i njohurive për një komunikim efektiv dhe ndikimi në vlerat dhe etikën e punës lidhur me Shëndetin Riprodhues duke u fokusuar në Edukimin Seksual, Abortin dhe Kontracepsionin.
Disa nga mesazhet e përdorura ishin:
• Gratë e lira nga riprodhimi i detyruar (Akses i barabartë në të gjitha metodat e abortit të sigurtë)
• Mbrojtja e të drejtës për një jetë të lirë nga detyrimi, kërcënimi, shfrytëzimi dhe dhuna seksuale
• Nëse nuk ka kujdes kontraceptiv, askush nuk është i lirë të jetojë një jetë të pasur dhe të lirë riprodhuese
• Fuqizimi i komunitetit nëpërmjet njohurive për një jetë emocionale seksuale të lirë dhe të sigurtë, dhe mbrojtja e tyre nga dëmi emocional seksual dhe detyrimi.
Këto mesazhe u pritën pozitivisht nga pjesëmarrësit. Burrat dhe gratë u shprehën se këto mesazhe janë kuptimplota dhe prekin aspektet kryesore të shëndetit dhe të drejtave riprodhuese. Gjithashtu, këto mesazhe u ndanë dhe me kalimtarët, të cilët u pyetën për mendimet e tyre. Gratë dhe vajzat e reja mirëpritën dhe mbështetën mesazhet dhe fushatën dhe ligjërimi i ri i përdorur në mesazhe i cilësuar si shumë efektiv u mirëprit si nga pjesëmarrësit ashtu edhe nga kalimtarët.