AULONA

QENDRA SHQIPTARE PËR POPULLSINË DHE ZHVILLIMIN (Albanian Center for Population and Development)
QENDRA AULONA VLORË,
Historiku i organizatës

Qendra  “Aulona” në Vlorë është themeluar si degë e Shoqatës së Planifikimit Familiar, më nëntor 1998.

Qendra Aulona ka një staf të përbërë nga Menaxherja e Qendrës dhe infermierja që punojnë me kohë të plotë. Po ashtu me kohë të pjesshme punojnë dy mjeke gjinekologe, një psikologe dhe një pastruese. 

Qendra Aulona ka grupin e saj të vullnetareve nga të cilët 25 janë më aktivë dhe mbështesin fushatat dhe aktivitetet e tjera si edukatore bashkëmoshatarë .

Qendra Aulona ka një shtrirje të aktiviteteve në të gjithë rrethin e Vlorës, duke përfshirë qytetin si dhe katër njësitë administrative Qendër, Orikum, Shushicë dhe Novoselë.

 Qendra Aulona ka punuar fort në zonat rurale të rrethit të Vlorës për një periudhë 6 vjeçare: 2012-2018 përmes projektit të financuar nga Olof Palme International Center dhe qeveria suedeze të titulluar “Gratë dhe vajzat e zonave rurale, faktorë ndryshimi në komunitet” si dhe projektit “Mobilizimi i grave për zhvillimin e komunitetit” . Janë ngritur katër Forume të pavarura të Grave në secilën nga njësitë administrative Qendër, Orikum, Novoselë e Shushicë. Gratë pjesëmarrëse në këto forume janë fuqizuar përmes trajnimeve dhe takimeve të herëpashereshme me pushtetin vendor dhe Aleancën e Grave Këshilltare të Vlorës për të advokuar për nevojat e tyre pranë pushtetit vendor. Po ashtu Qendra ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë shërbime për shëndetin e gruas në këto zona rurale për të rritur aksesin e tyre.

Target grupet me të cilat punojmë: të rinjtë në nevojë, të marxhinalizuar, gratë në përgjithësi dhe gratë në nevojë, viktima të dhunës në familje etj.

Çdo vit mijëra gra dhe të rinj përfitojnë nga shërbimet që ofrohen në qendrat e shërbimit të QPZH. Nevojat e klientëve, opinionet dhe sygjerimet luajnë një rol të rëndësishëm në dizenjimin e shërbimeve të reja, materialet informative, pajisjen e qendrave, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Qendra Aulona ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me rrjetin e organizatave të tjera aktive në Vlorë duke organizuar së bashku fushata ndërgjegjësimi për të drejtat e grave si dhe çështje të rinisë në ditët botërore si 8 Mars, Dita e Rinisë, Dita e popullsisë, 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës më bazë gjinore, dita antitrafik , dita botërore e kontracepsionit, e luftës kundër stigmës së abortit etj.

 Gjatë këtyre 20 viteve të aktivitetit të saj, Qendra Aulona ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me qeverinë lokale.

Ofron shërbime të liçensuara të përkujdesit komunitar e shoqëror si dhe shërbime shëndetsore për shëndetin riprodhues.

Lista e shërbimeve të ofruara çdo ditë në Qendër:

  • Këshillime për Planifikimin Familiar dhe shëndetin Riprodhues
  • Kontraceptivë të të gjitha llojeve
  • Teste shtatëzanie
  • Vizita gjinekologjike dhe obstetrike
  • Pap testi ( ekzaminim rutinë që parandalon kancerin e qafës së mitrës)
  • Ekografi gjinekologjike dhe obstetrike
  • Këshillime psiko-sociale të liçensuara.
  • Shërbime për abortin
  • Teste për HIV
  • Trajnime të akredituara për personel mjekësor në fushën e shëndetit riprodhues
  • Seminare informuese me të rinjtë, gratë dhe familjet e tyre si dhe aktivitete ndërgjegjësuese.

Besueshmëria drejt shërbimeve të ofruara nga Qendra e Gruas “Aulona” në Vlorë udhëhoqi në zbatimin e një projekti në partneritet me qeverinë lokale (loan nga Banka Botërore) në lidhje me themelimin e një qëndre për shërbime sociale të integruara për gratë në nevojë, familjet dhe të rinjtë vlonjatë në rrezik.  ( 2005 – 2008) Aktualisht Bashkia Vlorë në vazhdim të këtij projekti ofron mjediset e saj në huapërdorje për Qendrën Aulona në kuadër të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror për gratë dhe të rinjtë në nevojë. Qendra Aulona raporton çdo katër muaj statistikat e shërbimeve shoqërore tek Bashkia.

Qendra Aulona ka ngritur Aleancën e Grave Këshilltare Vlorë dhe duke fuqizuar gratë e komunitetit rural advokon së bashku me to për përmbushjen e kërkesave më prioritare të tyre si dhe të kontratës sociale 2015, 2019 të nënshkruar me kryetarin e Bashkisë Leli.

Si rezultat i lobimit dhe advokacisë për të drejtat e grave janë arritur rezultate të rëndësishme të reflektuara në buxhetin e bashkisë në këto dy vitet e fundit. Po ashtu janë adresuar nga Bashkia pesë nga 10 pikat e kontratës sociale.

Në kuadër të bashkëpunimit 20 vjeçar me Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik Vlorë, Qendra e ka forcuar bashkëpunimin me këtë institucion duke organizuar  shpesh trajnime për profesionistë të shëndetit nga rrethe dhe zona rurale të ndryshme. Temat e trajnimeve përfshijnë: prezantim i përgjithshëm i shëndetit riprodhues, kujdesi para dhe pas lindjes, parandalimi i SSTve, HIV/SIDAs, planifikimi familjar, këshillimi psikologjik, aborti dhe stigma ndaj abortit, dhuna seksuale dhe me bazë gjinore etj

Qendra është anëtare e Mekanizmit të Referimit të Rasteve të dhunës, Tryezës Multidisiplinare Teknike si dhe e Komitetit Rajonal Antitrafik.

Qendra Aulona ka qenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të organizuara nga Bashkia Vlorë për hartimin e Planit Social të Bashkisë Vlorë gjatë këtyre 15 viteve të fundit. 

Duke pasur si grupe target gratë dhe të rinjtë, kjo qendër e njohur  për profesionalizëm dhe për shërbimet cilësore që ofron, ka kontribuar në përmirësimin e shëndetit riprodhues, planifikimit familjar dhe të situatës së shëndetit riprodhues në Vlorë, duke siguruar akses në shërbime dhe informacion cilësor dhe të përshtatshëm.

Po ashtu Qendra ka kontribuar në përmirësimin e demokracisë lokale duke fuqizuar gratë rurale, duke i bërë të afta të ngrenë zërin për nevojat e tyre, dhe duke mbështetur Bashkinë Vlorë në proçeset e buxhetimit me pjesëmarrje. 

Qendra ka një kanal në Youtube ku pasqyron të gjithë aktivitetin e saj dhe kronikat apo emisionet në TV për të rritur vizibilitetin e punës së saj.

Qendra ka një faqe aktive në Facebook me rreth 3250 ndjekës, në të cilën gjenden të pasqyruara të gjitha aktivitetet e saj në kohë reale. Po ashtu së fundmi është hapur edhe faqja e saj në Instagram.  

https://www.facebook.com/qendra.aulona/  me  3232 ndjekës

http://instagram.com/qendraaulona?igshid=pwfehv46muw0     734 ndjekës

 

https://www.youtube.com/channel/UCcF2MIuMg6TMY87AU9c0bUw?view_as=subscriber

Scroll to top
Albanian Albanian English English
Facebook
Twitter
YouTube
LinkedIn
Instagram